Kosova

Haradinaj: Dështimi në KiE i faturohet Kurtit – eksperimentet e tij shkaktuan dështimin më të madh


Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj dhe kryeministri Albin Kurti.

Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e ka konsideruar si “dështimin më të madh të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, refuzimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pasi kërkesa e saj për t’iu bashkuar kësaj organizate të rëndësishme nuk u mor parasysh nga Komiteti i Ministrave i KiE-së.

Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, për këtë ka fajësuar eksperimentet e kryeministrit Albin Kurti.

“Mospërfshirja e Kosovës për votim në Këshillin e Ministrave, është dështimi më i madh i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ky dështim i faturohet një njeriu e ai është, Albin Kurti. Eksperimentet e tij, jo vetëm që e kanë dëmtuar rëndë imazhin e vendit, por po e dobësojnë edhe subjektivitetin e shtetit”, ka shkruar Haradinaj.

Thirrja e tij drejtuar shteteve të Bashkimit Evropian, ka qenë që të mos pësojnë qytetarët e Kosovës, për shkak të kryeministrit.

“U bëj thirrje shteteve të BE-së, të mos i ndëshkojnë qytetarët dhe shtetin e Kosovës, për shkak të papërgjegjësisë dhe mungesës së seriozitetit të një njeriu, por të na e shtrijnë dorën e t’na e hapin rrugën e integrimit”.

“Ne rrugë tjetër nuk kemi!”.

Arsyeja pse Kosova nuk hyri në agjendën e seancës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, ishte kushtëzimi që Gjermania dhe Franca i bënë Kosovës duke kërkuar nga ajo hapa konkret në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Kosova refuzoi të bëjë një gjë të tillë, madje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kushtëzimi i bërë nga Franca dhe Gjermania ishte “absurd”.

Autoritetet kosovare argumentuan se Berlini e Parisi kanë ngatërruar dy procese të pavarura, pra procesin e dialogut dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sipas tyre ky kusht i ri “nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës”.

Pak ditë pasi Kosova mbeti jashtë agjendës Qeveria e Kosovës, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore