Lajme

Nëse Trump fiton, do të kërkojë angazhim me 3% të PBB-së për vendet e NATO-s


Donald Trump po shqyrton planet për t’i shtyrë anëtarët e NATO-s që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nëse ai fiton një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Kështu ka publikuar media The Telegraph, duke iu referuar burimeve në kampin republikan.

Ish-presidenti mendon se shteteve anëtare duhet t’u kërkohet të kontribuojnë më shumë në mbrojtjen kolektive të aleancës, në dritën e kërcënimeve nga Rusia dhe Kina.

Ai gjithashtu beson se rregullat e kontabilitetit duhet të ndryshohen në mënyrë që shpenzimet për ndihmën ushtarake për Ukrainën të mos llogariten drejt objektivit – një politikë që do të shtynte disa vende nën objektivin aktual prej 2% të PBB-së.

Një burim i afërt me Trump tha se ai ka konsideruar të lobojë në aleancë për një rritje prej disa kohësh, por u bind më tej pas takimit me Andrzej Duda, presidentin e Polonisë, muajin e kaluar.

“Mendimi i tij po evoluon drejt 3%, veçanërisht pasi foli me Dudan – dhe kjo nuk përfshin paratë për Ukrainën,” tha burimi.

Takimet e Trump me Duda thuhet se ishin gjithashtu të rëndësishme për të bindur ish-presidentin amerikan të heqë dorë nga kundërshtimi i tij ndaj një pakete ndihme prej 60 miliardë dollarësh të vonuar për Kievin.

Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të tërheqë mbështetjen e SHBA-ve për aleatët e NATO-s, nëse shtetet anëtare nuk rrisin buxhetet e tyre të mbrojtjes.

Vitin e kaluar, vetëm 11 nga 32 anëtarët e aleancës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, arritën objektivin aktual. Të tjerat ishin SHBA-të, e cila është deri tani kontribuuesi më i madh i përgjithshëm, krahas Polonisë, Greqisë, Estonisë, Lituanisë, Finlandës, Letonisë, Hungarisë, Sllovakisë dhe Danimarkës.

Teksa, Shqipëria, e ka arritur objektivin me 2% në buxhetin e vitit 2024.

Luksemburgu, i cili kishte buxhetin më të vogël për mbrojtjen në krahasim me PBB-në e tij, shpenzoi vetëm 1%, ndërsa Belgjika dhe Spanja shpenzuan 1.2%.

Duda ka argumentuar më parë se 3% – një nivel i arritur vetëm nga Polonia, SHBA-të dhe Greqia – kërkohet për t’u mbrojtur kundër “kërcënimeve në rritje” përfshirë Rusinë që nis një “konfrontim të drejtpërdrejtë me NATO-n”.

Të martën, Timo Pesonen, një zyrtar i lartë i mbrojtjes i BE-së, tha se një objektiv prej 3% ishte tashmë në diskutim mes disa vendeve anëtare pas dyerve të mbyllura.

“Kur aleatët e NATO-s po rrisin buxhetin e tyre në të paktën një për qind të PBB-së, disa njerëz flasin tashmë rreth 3%”, tha ai.

Mbretëria e Bashkuar shpenzoi 2.28% të PBB-së për mbrojtjen në vitin 2023 dhe planifikon të rrisë shpenzimet e saj në 2.32% në vitin fiskal 2024-25.

Rishi Sunak, kryeministri britanik, javën e kaluar njoftoi se shpenzimet e Britanisë do të rriteshin në 2.5% të PBB-së deri në fund të dekadës – një rritje prej 75 miliardë paundë në përgjithësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore