Muzikë

Qeveria kroate jep 50 mijë euro për Baby Lasagna pas suksesit në Eurovision, por ai nuk i pranon: Ia dhuron dy instituteve mjekësore


Marko Purisiç, muzikanti i talentuar kroat, i cili performon nën nofkën Baby Lasagna, mund të thuhet pa diskutim se ishte risia e vërtetë e Eurovision 2024, duke u radhitur i dyti me këngën e tij Rim Tim Tagi Dim në festivalin më të madh kontinental.

Pavarësisht se jo fitues, ai rrëmbeu zemrat e publikut, bëri që kënga e tij dhe motivet kroate të dëgjoheshin e këndoheshin kudo, si edhe ishte performuesi me pikët më të larta nga vota e publikut.

Të mos ishte për jurinë profesioniste, që e radhiti të tretin, ai do ta kishte fituar Eurovision, të cilin si përfundim e rroku zvicerani Nemo me The Code.

Po Baby Lasagna ndoshta nuk e ka besuar pritjen që i kanë bërë bashkatdhetarët e tij në Zagreb ditën pasuese të festivalit, ku me mijëra ishin mbledhur në sheshin kryesor të kryeqytetit kroat, për ta brohoritur. Vetë kryeministri Andrej Plenkoviç madje, e priti në shesh.

Një konstrast i madh nga Nemo, të cilin në kthim e prisnin vetëm punonjësit e aroportit.

Por ballkanasit këtu tregojnë se edhe pse jo triumf total, ata dinë ta gëzojnë e shijojnë më mirë gjithçka.

Gjithsesi, jo vetëm në skenë Baby Lasagna u tregua një artist i madh, pasi edhe jashtë saj, një gjest tepër i bukur ka bërë që dashamirësit e muzikës së tij të dashurohen edhe më shumë me këngëtarin e rrymës Rock.

Qeveria, për shkak të suksesit të arritur, vendosi t’i japë atij një shpërblim prej 50 mijë eurosh.

Por, përgjigja, ishte e thjeshtë: Unë nuk mund t’i pranoj ato.

Arsyet sipas Purisiç ishin të shumta, por si kryesore, ai përmend faktin se shumë njerëz të tjerë më nevojtarë se ai, kanë nevojë për ato para.

Ndaj, me kërkesë të tij, fondet do të shkojnë gjysma për Institutin për Pediatri, Onkologji dhe Hematologji “Mladen Cepulic” dhe gjysma tjetër për Institutin për Pediatri, Onkologji dhe Hematologji KBC Zagreb.

Një artist i vërtetë. Por mbi të gjitha, një njeri i vërtetë!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore