Lajme

Vuçiç i kërkoi personalisht Macron-it ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në KiE, pretendon Knaus


Aleksandër Vuçiç dhe Emmanuel Macron

Kryetar i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, (ESI), Gerald Knaus, ka potencuar se disa shtete të Këshillit të Evropës, përfshirë këtu Gjermaninë e Francën, janë duke u përgatitur të bllokojnë procesin e votimit në Këshillin e Ministrave për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në maj të këtij viti.

Në vlerësimin e tij këto shtete me një qasje të tillë po injorojnë votimin pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Kjo po pason pas një fushate të presidentit të Serbisë Vuçiç duke përfshirë një apel personal drejtuar presidentit Macron që të mos lejojë votimin – dhe një angazhim serb për të blerë 12 avionë luftarakë francezë Rafal”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Ndryshe Vuçiç, ditë më parë pretendoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është ende i sigurte, meqë në vlerësimin e tij Kosova deri më tani ka siguruar 29 deri në 33 vota.

“Për anëtarësim nevojitën 31. Gjithçka është në buzë të greminës”, tha ai të mërkurën në një prononcim për media.

Vuçiç pretendoi gjithashtu se Kosova me ndihmën e aleatëve po punon për ta bindur Francën, Italinë dhe Monakon për të votuar pro anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Gjermania dhe Franca kanë kërkuar që Kosova të bëjë një hap substancial në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Kushtetuese për shqyrtim –  kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kancelari Gjermani, Olaf Scholz, në një bisedë telefonike të hënën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ky i fundit hapa konkretë drejtë themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftimin e Kancelarisë Gjermane.

Dy javë më parë Kurti zhvilloi një bisedë telefonike edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Macron gjatë bisedës ndërsa përshëndeti Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftimin e Pallatit Elysee.

Albanian Post, ditë më parë raportoi se Qeveria e Kosovës është pajtuar në parim me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që ka marrë me 16 prill nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, të dërgojë deri më 10 maj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

Megjithatë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të hënën, u shpreh i bindur se Qeveria e Kosovës nuk do ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, para anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Përgjigja është jo, pra jo”, ka thënë shkurt ai.

Në vlerësimin e tij Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për t’u anëtarësuar në këtë organizatë ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore