Kosova

“Petrit Ajeti më erdhi në shtëpi”, si u përfshi shefi i AKI-së në emërimin e kryetarit të Gjykatës së Gjilanit, Venhar Salihu


Foto: Albanian Post

Ish-administratorja e Gjykatë së Gjilanit, Floriana Jelriu, ka deklaruar në emisionin “Betimi për Drejtësi” se si i kishte shkuar në shtëpi për vizitë gjyqtari, Venhar Salihu dhe kryeshefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti, meqë ky i fundit ishte i interesuar për emrat e zyrtarëve të AKI-së që kishin qenë në zyrën e gjykatës, të cilët po merreshin me procesin e verifikimit të së kaluarës së Salihut që i kishte hyrë garës për kryegjyqtar gjatë vitit 2022.

“Ka qenë ditë e diel dhe më thërret Venhar Salihu dhe më thotë se do të vijë në shtëpi, unë i them nuk mundet me të pritë se bashkëshortin nuk e kam në shtëpi, thotë unë nuk po futem brenda veç deri te dera. Unë i them eja”, ka shpjeguar ajo.

“Kur vjen, vjen me një xhip me ngjyrë të mbyllur me xhama të zi edhe del nga pjesa e majtë gjyqtari Venhar, ndërsa prej pjesës së djathtë ka zbritur kryeshefi i AKI-së Petrit Ajeti, i cili më foli për dore dhe unë u ndjeva jashtëzakonisht keq, meqë nuk e dita arsyen pse kanë ardhur këta njerëz. U ndjeva shumë e shqetësuar. Kam hipur në veturë me ta pa i menduar pasojat”, ka shpjeguar ajo.

Tutje Jerliu ka treguar edhe për bisedën që kishte pasur me kryespiunin kosovar në kohën kur Venhar Salihu miku i tij, pritej të bëhej kryetar i Gjykatës së Gjilanit.

“Petrit Ajeti më thotë: ‘administratore po dua ta di kush ka ardhur prej AKI në zyrën tënde’, unë i tregova kush ka qenë me emër e me mbiemër, më thotë: ‘çka ke thanë për gjyqtarin Venar, a është kandidat i mirë për kryetar?’. I thashë po ja vlen, po besoj që është i mirë, tani ai më tha: ‘kësmet do ta bëjmë kryetar gjykate’”, ka treguar Jerliu se i ka thënë Ajeti.

Se ka qenë në vizitë tek shtëpia e Jerliut me kryeshefin e AKI-së, e ka pranuar edhe gjyqtari Saliu i cili dëgjohet duke folur në një audio-incizim të Jerliut.

“Kam ardhur me ta gjuajt ata fytyrës që mos u merr me sene palidhje se je e vogël me u marrë me ato sene” dëgjohet duke thënë Salihu.

Ndryshe, pas akuzave për presion psikik, ndërhyrje në sistemin SMIL të gjykatës, e akuza tjera, në kallëzim penal të parashtruar nga ish-administratorja e Gjykatës Themelore të Gjilanit, Florina Jerliu pretendon për disa raste, që sipas saj, ajo është ngacmuar seksualisht nga kryetari Venhar Salihu.

Këtu mund ta gjeni reportazhin e plotë të “Betimit për Drejtësi” për këtë rast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore