Shqipëria

Nga presionet politike te krimi i organizuar, bilanci i Altin Dumanit te “Ligjet”


Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, për gati pesë orë ka raportuar në Komisionin e Ligjeve sa i takon raportit vjetor të këtij institucioni.

Të dhëna statistikore, pyetje për kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inceneratorët, dosja ndaj Sali Berishës, presionet politike, akuzat ndaj vetë SPAK-ut dhe problemet me të cilat haset ky i fundit.

Këto ishin vetëm disa nga çështjet për të cilat u pyet Dumani.

Në fjalën e tij, fillimisht ai theksoi se, ka një bashkëpunim mes SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit.

Kjo ndërsa nuk mohoi të pranojë se një pakicë minimale e uniformave blu janë të lidhura me krimin.

“Më rezulton se janë proceduar rreth 70 punonjës nga ne. Na ka rezultuar se drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të lidhur me krimin e organizuar”, shtroi problemin Dumani.

Shembujt po ashtu, sipas tij, janë bërë publikë, duke përmendur ish-drejtorin e Operacionales, Oltion Bistri, apo disa drejtorë komisariatesh dhe shefa krimesh.

Për Dumanin është e qartë se ka prani të pastrimit të parave, që bëhet edhe me ndërtimet.

“Edhe terrorizmi është ndër aktivitetet kriminale më të rralla. Sa i takon korrupsionit, përdoret procedura që përfitojnë nga fondet publike, që përdorin llogari offshore. Edhe disa banka janë të përfshira në skemën e pastrimit të parave”.

Më tej në fjalën e tij, Dumani u pyet se pse ndaj Berishës ishte vendosur një masë arresti.

Ai u shpreh qartë se drejtësia nuk mund të sfidohet.

Dumani përjashtoi kategorikisht mundësinë që ndaj tij apo institucionit që drejton të kishte ndikim politika.

Për këtë ai kujtoi vitin 2008, kur Berisha ishte në qeverisje dhe Dumani mori drejtimin e Task Forcës për korrupsionin në Prokurori.

“Unë mbeten i njëjti si në 2008-ën ashtu edhe në 2023-shin apo 2024-n, një prokuror që politika ka zero ndikim”.

Gjatë përgjigjeve, kreu i SPAK u shpreh se ka hetime që po zhvillohen, përfshirë edhe kryebashkiakun e Tiranës, por nuk pranoi të bëjë më shumë komente për çështjet që janë nën hetim.

“Nuk i jap përgjigje as për ju të nderuar, as për mediat se kjo është çështje hetimi”, tha ai.

Sakaq Dumani u pyet rreth deklaratës së bërë nga Veliaj pak ditë më parë, i cili u shpreh se ishte në SPAK si kolegë i prokurorëve.

“Kolegë kemi vetëm njeri-tjetrin, atje te SPAK-u dhe kemi edhe kolegë të Byrosë Kombëtarë të Hetimit. Kemi kolegë ata që ushtrojnë funksione në ato zyra”.

Kërcënimet ndaj SPAK

Ai pranoi me bindje se, prokurorët e SPAK-ut janë kërcënuar nga aktorë të krimit të organizuar dhe kjo situatë mbetet ende një problem.

“Kërcënimi që ka ardhur nga krimi i organizuar është shqetësim që ne e kemi adresuar”, specifikoi Dumani referuar vendimit të Këshillit të Ministrave lidhur me mbrojtjen e tyre.

Ama kreu i SPAK u shpreh se, ka problematikë te mbrojtja e familjarëve të tyre.

“Në fund të dhjetorit 2023 ndërmorëm disa hapa duke ndryshuar vendimin e KM që përmirësoi në mënyrë cilësore mbrojtjen e prokurorëve SPAK, por ka një problematikë sa i takon mbrojtjes së familjarëve”.

Për Dumanin, këtu ka një problematikë pasi është procedurë e gjatë dhe duhet të kesh prova.

“Kemi konstatuar vullnet pozitiv për të siguruar mbrojtje të prokurorëve të SPAK”.

Po ashtu, ai ka raportuar edhe për punën vjetore të SPAK, ku tha se në total janë sekuestruar 41 milionë euro pasuri.

“SPAK ka tregues sasior dhe cilësor të përmirësuar në raport me një vit më parë. Ka hetuar 863 materiale nga të cilat nuk është filluar hetimi penal për 103 materiale. 41 milionë euro sekuestrim pasurie. Në asnjë rrethanë nuk jemi inkuizitor. Detyra jonë është të hetojmë, po mbajmë në kujdes mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Shifrat janë kokëforta në lidhje me politikën tonë penale. Të paraburgosurat nga SPAK zënë më pak se 9%”, tha Dumani.

Sa i takon bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare, ai tha se “kemi arritur që të kemi besueshmëri dhe bashkëpunim me institucione partnere”.

“Përfaqësues të DEA janë vendosur në SPAK”.

Ai ngriti edhe disa shqetësime si mungesa e referimeve nga institucionet publike, ndërsa u ndal edhe në mandatin e prokurorëve të SPAK.

Dumani është shprehur se duhet një zgjatje e mandatit për prokurorët e SPAK.

“Të nderuar deputetë, ne kemi paraqitur disa shqetësime që shpresojmë të gjejnë zgjidhje, mungesa e përcaktuar qartë në kuadrin ligjor në lidhje me ekzistencën e prokurorëve pas përfundimi të mandatit, mungesa e këshilltarëve ligjorë, adresimi i ngarkesës të shtuar ndaj drejtuesit të SPAK mbi çështjet e prapambetura të rivlerësimit të magjistratëve pas marrjes së kompetencës të komisionerit publik, mungesa e referimet nga institucionet publike, numri i procedimeve të mbartura”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore