Shqipëria

Gjiknuri: I qëndrojmë variantit të votimit me postë për Diasporën


Partia Socialiste i qëndron votimit të Diasporës me postë.

Kështu të paktën ka bërë me dije Damian Gjiknuri, i cili në përfundimit të mbledhjes së Grupit të Dialogut tha se ky është varianti më i mundshëm.

“Varianti më i mundshëm dhe potencial për t’u parë mbetet variant klasik me postë dhe regjistrimi përmes një sistemi që krijon transparencë”.

Sipas tij, baza është sistemi i gjendjes civile.

“Çdo deklarim adrese do të reflektohet në sistemin e gjendjes civile. KQZ mund të përdoret si broker për të komunikuar me ata që shprehin dëshirën”.

Ndërkaq, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, ka propozuar që vota e diasporës të realizohet përmes një aplikacioni, i cili do të ruajë anonimatin dhe do të ketë të gjitha garancitë që parashikon ligji.

“Për mua mënyra më e mirë është ajo e dërgimit të fletës së votimit përmes një aplikacioni. Procesi është i garantuar nga ana teknike, i kriptuar i gjithë komunikimi. Ata që e njohin teknologjinë e informacionit e kuptojnë se kjo është e bëshme. Votuesi që e merr fletën në llogarinë e vetë, ku ka bërë regjistrimin si votues, mund ta ridërgoj fletën në KQZ përmes këtij sistemi, por edhe mund ta printojë, ta fusë në zarf dhe ta nisi me postë këtu në KQZ”.

Sipas tij, “procesi i regjistrimit të atyre votuesve që duan ta ushtrojnë të drejtën e votës jashtë Shqipërisë, mund të regjistrohen dhe në opinionin tim duhet të regjistrohen në KQZ përmes një platforme që do ta ndërtojë ky institucion”.

Ai theksoi se nëse Kuvendi s’i bën plotësimet për çështjen e votimit nga jashtë brenda këtij sesioni, thuaj se me siguri absolute votimi nga jashtë për zgjedhjet e vitit 2025 nuk do të mund të realizohet.

“Nuk e them dot me garanci 100%. Duhet që brenda fundit të korrikut kur mbyllet ky sesion për ta bërë të mundur këtë votimin e diasporës. Mund të bëhen dhe në shtator nëse ato i hapin rrugën këtij votimi, por sistemet që do duhet të ndërtohen, kërkon më shumë se 5 apo 6 muaj kohë”, tha Celibashi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore