Lajme

Paolo Rumiz: Vlerat tona në krizë? Kështu na thonë, por nuk është e vërtetë


Në faqen e dytë të librit të tij të ri “Ata do të vijnë natën”, një broshurë vorbulle, e tensionuar dhe poetike mbi Evropën dhe natën që shtrihet mbi të, luftërat që e rrethojnë, pakënaqësia dhe intoleranca që e godasin, shkrimtari italian Paolo Rumiz, shkruan se identiteti është një fjalë që “nuk shërben më për të thënë se ku je e nga vjen, por për të kërkuar luftë dhe për të lejuar armët, identiteti, (fjalë) që ka rrënjën e njëjtë me idiotët, që në greqisht do të thotë “ata të palosur në vetvete”, që kanë frikë nga kompleksiteti i botës dhe nuk e lejojnë veten të fekondohen nga takimi me tjetrin”.

Të dielën, në fjalimin e saj në Viva24, konventa e ekstremit të djathtë në Madrid, organizuar nga partia e ekstremit të djathtë Vox, Giorgia Meloni tha “ne mund të ndërtojmë një BE më të mirë dhe më të ndryshme, ajo mund të ndryshojë identitetin e saj”.

Të njëjtët njerëz që donin të shfuqizojnë Evropën tani duan ta rivendosin atë. Nuk është e qartë në emër të çfarë e kujt. Jo-të janë të qarta, por nuk është e qartë se çfarë kërkon pozitivisht kjo e djathtë globale. Rumiz shkruan “Fjala ‘kundër’ po përhapet, fjala ‘për’ është zhdukur nga fjalori”.

Evropa dridhet nga një luftë ende e nëndheshme e të gjithëve kundër të gjithëve, dhe Rumiz e sheh atë nga kufiri italo-slloven, ku është zhvendosur kohë më parë, dhe ku ka pak kohë që natën, zgjohet i shqetësuar dhe i shkruan makthet, vizionet dhe perceptimet. Sidomos perceptimet se ka mësuar t’u besojë atyre shumë më tepër sesa analizave.

Të gjitha i raporton në këtë libër, i cili është një antologji, ditar dhe poezi. Ai thotë se si janë gjërat dhe si mund të jenë. Dhe i thotë në italisht dhe anglisht  sepse thotë ai “Nuk kam shkruar vetëm për italianët. Kam shkruar për evropianët”.

Intervistë e dhënë La Stampa-s

Rumiz, çfarë është një italian?

“Dikush që ka pak dëshirë të merret me historinë e tij, sepse është gjithmonë shumë e përshtatshme për të të besojë në përrallën e njerëzve të mirë italianë”.

A nuk jemi njerëz të mirë?

“Ne nuk jemi ndryshe nga të tjerët”.

Ndihesh italian?

“Sigurisht. Por unë jam një italian sui generis, nga kufiri. Unë kam lindur dhe jam rritur në Trieste dhe fakti që nuk jetoj përtej, por i ngjitur pas këtij kufiri, në verilindje, mes Italisë dhe Sllovenisë, është një shenjë e faktit se jam evropian para se të jem italian”.

Ju shkruani se zemërimin e keni me kombet sepse ata “shkatërruan” perandorinë tuaj, atë austro-hungareze. Keni nostalgji perandorake?

“Jo aspak për këtë. Nuk do t’i dorëzohesha kurrë nostalgjisë së shtrembëruar. Por perandoria është më e mirë se kombet: më duket e pabesueshme që këta u mungojnë shumë prej njerëzve, edhe pse kemi pasur shembullin se sa vdekjeprurës janë një hap larg nesh, në Ballkan”.

A është kombi një koncept i gabuar në vetvete?

“Kombet si të tillë nuk shkojnë mirë me njëri tjetrin. Ato ndërtohen përmes dallimit me të tjerët, për të ekzistuar ata duhet të nënvizojnë dhe theksojnë dallimet. Kthimi te kombet do të na bënte të zhdukeshim nga harta. Nëse nuk e kuptojmë shpejt se sa e rëndësishme dhe e dobishme është të jemi bashkë, do të humbasim çdo rëndësi.”

Çfarë do të thotë në një moment si ky të aspirosh për rëndësi?

Të jemi koshientë se ne jemi një fuqi botërore që rrezikojmë involucionin, sepse ende nuk është bërë hapi i nevojshëm për t’u bashkuar dhe është ende i kushtëzuar nga interesat e vendeve individuale. Politikanët që shkojnë në Bruksel nuk mbrojnë Evropën, por kombet e tyre përkatëse”.

Ju përdorni shprehjen “burokratët e Brukselit”.

“Unë e përdor për të nënkuptuar se qytetarët evropianë janë federuar, deri më tani, vetëm nga çështjet ekonomike dhe financiare”.

E përdorin edhe sovranistët dhe populistët.

“Por ata zotërinj nuk e kuptojnë se burokratët në Bruksel janë ata që i vendosën atje. Sovranistët dërgojnë sovranistë të tjerë në pushtet në Evropë me qëllimin e vetëm për t’i kritikuar ata se duken të ndryshëm, të shkëputur nga pushteti. Është një mashtrim i madh”.

Si e shpjegoni dëshirën në rritje për sovranitet kombëtar nëse jo si refuzim i demokracisë?

“E djathta beson se ne mund të jemi kompakt rreth një armiku dhe një armik është i lehtë për t’u gjetur edhe brenda Evropës, midis aleatëve, midis vëllezërve. Kohët e fundit kam dëgjuar një kandidat francez për Parlamentin Evropian të dënojë shijen e luleshtrydheve spanjolle. Çfarë do të thotë kjo? Ne mashtrojmë veten se nëse do të ishim të ndarë do të ishim më mirë dhe, mbi të gjitha, fajësojmë të tjerët për dështimet tona. Për shumë vite ideja e Evropës ka qenë një kokë turku për gabimet e qeverive individuale evropiane, të cilat gjithmonë mund të thoshin: ne gabuam këtu sepse duhej të përshtateshim me legjislacionin e përbashkët. E kanë bërë edhe e djathta edhe e majta. Ballkanizimi është pikërisht ky: të mashtrojmë veten se do të lulëzojmë të vetëm”.

Boshllëku kulturor që keni denoncuar prej kohësh është përgjegjësi e së djathtës apo e së majtës?

“Unë kritikën e kam me të dyja, por të zemërohem më të djathtën nuk ka kuptim: ajo bën të vetën, bën atë që beson. E majta, ama, i ka lënë fushë të lirë dhe në atë boshllëk, siç ka ndodhur gjithmonë në histori, infiltrojnë populistët, të cilët bartin identitete të rreme dhe nuk e kanë idenë se cila është aroma e atdheut, edhe pse me fjalën atdhe ata mbushin gojën”.

Mendoni se kjo ishte për shkak të ndrojtjes së së majtës për të folur për etni, atdhe, kufij?

“Sigurisht. Një picaiol afgan më tha dikur “Atdheu im është ai që më ushqen. Dhe ky është atdheu im, dhe nëse dikush, një nga bashkatdhetarët e mi, vjen të më kujtojë fantazmat e Islamit ekstrem, unë do t’i zë për bythe e t i’i përzë”. Kjo më bëri të mendoj se, mbi këtë bazë, ndërtimi i një shtetësie adoptuese nuk mund të jetë shumë i vështirë. Por nuk duhet të nënvlerësojmë çorientimin e atyre që ndihen të huaj në shtëpinë e tyre, sepse janë të rrethuar nga të huaj të pa asimiluar ose të pa asimilueshëm. Ky problem ekziston dhe nuk është racizëm: është ksenofobi, pra frika nga teprica e të huajve”.

A janë të ndryshëm sovranizmi dhe populizmi?

“Sovranizmi është një mashtrim. Populizmi është një gjuhë dhe u drejtohet instinkteve më themelore të njerëzve, veçanërisht atyre që kanë frikë nga ndryshimi”.

Mirëpo, edhe ajo thotë se ka ardhur koha që të jemi emotivë, ta lëmë zemrën të flasë.

“Zemra është një gjë dhe barku tjetër. Antipopulistët nuk ishin në gjendje të kontrastonin gjuhën e barkut me atë të zemrës, ata u përgjigjën me gjuhën e mendjes, e cila është e domosdoshme, por pa zemrën nuk bind askënd. Unë kam besime prej graniti, racionale, por i shpreh nga zemra. Kur tregoj historinë e Evropës, mitin e saj, në teatër, së bashku me një orkestër të rinjsh evropianë, njerëzit kanë lot në sy. Dhe ata ngrihen me një spontanitet të mahnitshëm përballë evidencës së fatit të mirë të të qenit evropianë”.

A nuk ju tremb të ngjallni këtë lloj krenarie?

“Unë nuk ngjall krenari: përpiqem të përcjell lumturinë e të qenit evropian”.

Dhe cili është ndryshimi?

“E njëjta gjë që ekziston mes një himni kombëtar që flet për bashkim në emër të gjakut dhe vdekjes, siç bën himni i Mamelit, dhe himnit europian, Odës së Gëzimit të Bethoven-it, i frymëzuar nga idealet e paqes, lirisë dhe solidaritetit mes popujve. Nuk është krenari: është lumturia e përkatësisë ndaj diçkaje. Ne jemi një utopi e madhe e lindur pas dy luftërave botërore që shkatërruan botën. Evropa është një varrezë që është bërë kopsht. Dhe arsyeja pse, pas gjithë kësaj, po kthehet magjepsja për të njëjtat kombe që çuan në ato luftëra, qëndron në faktin se ne nuk kemi ndërtuar një univers simbolesh të gëzueshme, të ngrohta, njerëzore dhe nuk i kemi përdorur ato për të ndërtuar idenë më të lartë të patriotizmit”.

Më trego për atë ide.

“Miti i Evropës. I cili është një mit i shëndetshëm, femëror. Ndërsa nga të gjitha anët ka një përpjekje për të rikthyer maçizmin, luftën, supremacinë, mohimin e të drejtave të grave, ne jemi mjaftueshëm me fat që mund të kujtojmë se jemi fëmijët e një refugjati të vogël që u arratis nga Lindja dhe u rrëmbye nga një zot që e solli në Perëndim, i bindur se ishte toka më e bukur. Më e gjelbërta”.

Dhe a është toka më e bukur dhe më e gjelbër?

“Përpiquni të arrini në Evropë, me fluturim, duke ardhur nga kontinente të tjera: gjëja e parë që vëreni është ngjyra jeshile që dominon, ajo është diversiteti i saj. Mund ta imagjinoni nëse politikanët do t’i thoshin këto gjëra? Sikur të kontribuonin në një tregim të frymëzuar nga ajo që jemi dhe kemi? » .

Ju jeni i ashpër sidomos me Ursula von der Leyen.

“Ajo po tradhton shumë nga premtimet e saj fillestare. Përballë përhapjes së sovranizmit më vulgar, ajo nuk ishte në gjendje ta kundërshtonte atë, përkundrazi e përdori. Kur i thashë se duhet të vendosim më shumë Evropë në Atlantizmin tonë, nuk i kërkova të mohonte Atlantizmin: i kërkova të merrte parasysh Mesdheun. Përgjigja ishte një vështrim i ftohtë, e kundërta e atij që i rezervoi Melonit”

Biden gjithashtu i buzëqesh Melonit.

“Ai ka nevojë në mënyrë dramatike për dikë që mbështet Shtetet e Bashkuara, ajo di të bëjë gjasme shumë mirë”.

Dëshira për drejtim të fortë, për burra të fortë në komandë, është gjithnjë e më e përhapur. Pse?

“Metafora e madhe e këtij mutacioni antropologjik janë anijet turistike, të cilat për mua janë përfaqësimi i saktë i asaj që fuqia ekonomike kërkon nga ne: ju hipni dhe një kapiten ju çon në vende të njohura duke ndjekur rrugë të njohura. Është nevoja e turmave të komandohen. Dhe të mendosh se deri 30 vjet më parë, i njëjti evropian që shkon në lundrime sot, shkonte me autostop në Indi”.

Kjo është arsyeja pse ju shkruan: “Evropian, nuk do ta njohësh tokën tënde në avion. Do t’ju duhet treni, autobusi, biçikleta për të hyrë në të vërtetën e vendeve”?

“Udhëtimi i ngadalshëm është kundërhelmi më i madh ndaj paragjykimeve kombëtare. Ju flas nga Spanja dhe këtu, në rrugë, mes portokalleve dhe manit, më shumë e ndjej Evropën sesa në Itali. Spanja është më spontanisht evropiane: e shoh në trafikun më të disiplinuar dhe ëmbëlsinë e njerëzve. Ndihem shumë më në veri sesa sugjeron lartësia.”

Pra, kundërhelmi është Spanja.

“Andidoti është të dëgjosh arsyet e tjetrit. Edhe kur tjetri është armik”.

Shkurt, demokracia.

“Demokracia”.

Por që i ka lodhur të gjithë.

“Disa kohë më parë, Claudio Magris tha se nëse fashizmi do të vinte sot, askush nuk do të bënte rezistencë. Kishte të drejtë”.

Çfarë gabimesh ka demokracia?

“Ato i ka politika, jo demokracia”.

Thonë se të dyja kanë mbaruar.

“Duan të na bëjnë ta besojmë. Ja cilët janë ata që vijnë natën: ata që vërshojnë mediat sociale dhe debatin publik me këto fraza katastrofike për fundin e gjithçkaje, duke nxitur këtë sindromë të perëndimit që ka prekur Perëndimin. Është një nga kryeveprat që ka arritur të bëjë e djathta kombëtare: duke na bindur se ka mbaruar çdo gjë, kur nuk është e vërtetë”.

Krahn, kandidati i AfD-së për zgjedhjet evropiane, tha: Më parë të majtët të ishin ato ‘cool’ (interesantët), ata dëgjonin “I like Chopin”. Sot jemi ne.

“Po, mund ta thotë sepse në anën tjetër askush, përveç disa shkrimtarëve dhe disa guximtarëve (por ju siguroj: asnjë politikan) nuk ngrihet për të treguar se asgjë nuk është më e këndshme se Evropa, se ajo vogëlushja që erdhi nga deti mbi kurrizin e një demi, nga tokat e gjelbra, nga e Nënta e Beethoven-it”.

 

Paolo Rumiz është nga Trieste gazetar për Il Piccolo. Ai është shkrimtar, udhëtar dhe gazetar. Shumë prej reportazheve të tij rrëfejnë udhëtime të kryera, për punë apo kënaqësi, nëpër Itali, Ballkan dhe Evropë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore