Kosova

PDK po dëshiron ta shmang elefantin në dhomë – Asociacionin


Ilustrim: Albanian Post

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ishte opozitari i vetëm i cili pranoi ftesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për takim më 13 maj ku mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare doli të jetë tema kryesore.

Pas darkës së punës në një prononcim për media, Krasniqi, deklaroi se takimi u përqendrua në temat që kanë të bëjnë me ekonominë e mirëqenien e qytetarëve, e jo në temat që i interesojnë ambasadave të akredituara në Kosovë, duke aluduar te Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe – nyja gordiane që e ka bllokuar përparimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Kjo qasje e Krasniqit, për ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, është jashtëzakonisht paradoksale.

Pretendimi i Krasniqit, sipas analistit politik, për të shmangur “elefantin në dhomë” nga diskutimet politike dhe publike “është vetëm një iluzion i radhës” që e bënë shumë të dyshimtë ofertën e tij në raport me pushtetin sa i përket dialogut.

“Kjo parti politike, po tenton që ta shmang aktualisht nga komunikimi me qytetarë atë që është si detyrim i së nesërmes”, thotë Kasolli për Albanian Post.

Në vlerësimin e tij PDK-ja duke e anashkaluar këtë temë, e suspendon njërën prej çështjeve më delikate të shtetit të Kosovës, atë se si “do t’i jap zgjidhje, konsolidimit ndërkombëtar shtetëror”.

“PDK, në këtë mënyrë, po tenton që ikjen nga këto presione ta bëjë duke i shmangur këto tema, më qëllim për t’u fokusuar në ato tema që kanë karakter ekonomik dhe social”.

Për Kasollin, Krasniqi e di mirë që Asociacioni do të jetë një çështje që nuk do të mund të nënvlerësohet në asnjë mënyrë.

“Dështimi për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës, ka treguar qartë, se tash e tutje asnjë proces në agjendën euroatlantike, nuk mund të ketë sukses pa zbatimin draft statutit të përpiluar nga Bashkimi Evropian”, e jep si shembull Kasolli.

Se Krasniqi është në dijeni të elefantit, por se refuzon të diskutojë se si duhet larguar atë nga dhoma e thotë edhe ligjëruesi i Shkencave Politike, Dritëro Arifi.

“Kjo është një qasje e palogjikshme, jo efikase dhe deri diku naive”, thotë Arifi për Albanian Post.

Megjithatë Arifi beson se Krasniqi po i ikë kësaj teme për arsye elektorale.

“Krasniqi nuk ka dashur të hyjë temës politike ku Kosova është e kurthuar aktualisht, ose të paktën tani ta shpalos idenë, sepse ajo mund të jetë goditëse për partinë e cila dëshiron që t’i fitojë zgjedhjet apo ta marr një votë më shumë”, shton ai.

Për Arifin është jashtëzakonisht joreale nëse Krasniqi mendon se temat si ekonomia e mirëqenia mund të rregullohen në një vend ku nuk ka stabilitet politik dhe mungon paqja.

Ftesën e Kurtit për këtë takim e refuzoi Lidhja Demokratike e Kosovës dhe AAK.

Si LDK ashtu edhe AAK argumentuan se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme vetëm nëse kryeministri Albin Kurti jep dorëheqje.

Sipas tyre kërkesa e PDK-së për shpërndarje të Kuvendit të Kosovës është e pakuptimtë.

Në anën tjetër partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se janë të gatshme për zgjedhje të parakohshme.

Për LVV-në shkuarja në zgjedhje varet nga partitë opozitare.

Gjatë kësaj jave Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë dy seanca të Kuvendit të Kosovës.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës deklaroi se akoma nuk ekziston një kërkesë zyrtare për shpërndarjen e legjislativit, derisa shtoi se nevojitet unitet në mesin e partive opozitare për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Ne asnjëherë nuk kemi thënë që kemi frikë nga shkuarja në zgjedhje apo rikonfirmimi i mandatit, por nuk mund ta bëjmë këtë nëpërmjet një grupi të vetëm parlamentar të opozitës. Nëse është një opozitë e bashkuar që kërkon shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, mund të dakordohemi për datën e përbashkët”, potencoi Kusari-Lila të hënën para gazetarëve.

Në anën tjetër Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, theksoi se shtatori duhet ta gjejë Kosovën me një qeveri të re, derisa ftoi opozitën ta mbështesë mocionin për shpërndarjen e kuvendit në mënyrë që vendi të shkojë drejt ciklit të jashtëzakonshëm elektoral, duke e konfirmuar njëkohësisht se akoma nuk ekziston pajtueshmëri për këtë.

“Jemi në afatet e fundit kohore kur duhet të procedohet mocioni për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës në mënyrë që vendi ynë t’i drejtohet kutive të votimit më 30 qershor apo 7 korrik, ashtu sikurse kemi propozuar. Fatkeqësisht, ende nuk kemi dakordancë mes grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”.

Kosova mbeti jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës ku do të votohej pro ose kundër anëtarësimit të vendit në këtë organizatë ndërkombëtare.

Arsyeja për këtë ishte kushtëzimi që Franca, Gjermania e Italia ia bënë Kosovës në raport me Asociacionin.

Tri shtetet kryesore të Bashkimit Evropian kërkuan nga Kosova dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Kërkesën në fjalë e refuzoi kryeministri, Albin Kurti, duke e cilësuar kushtëzimin si “absurd”.

Përveç në Këshillin e Evropës, zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit – në të cilën e përfshirë është edhe Asociacioni – u ndërlidh edhe me rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në bllokun evropian.

Shënim: Fraza proverbiale e “Elefantit në dhomën e ndejës” ishte përdorur për herë të parë në shfaqjen muzikale “Jumbo” të vitit 1935 ku një zyrtar policor ndalon komedianin Jimmy Durante dhe e pyet “çfarë po bën me atë elefant?”, ndërsa ky i fundit ia kthen “Çfarë elefanti?”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore