Kosova

KFOR-i bën të ditur se u njoftua “pak para” aksionit policor në veri


Ilustrim

Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) deklaroi në një komunikë për shtyp se është njoftuar “pak para” aksionit të Policisë së Kosovës që rezultoi me mbylljen e gjashtë filialeve të “Bankës Kursimore të Postës” të Serbisë në pjesën veriore të territorit kosovar të banuar me shumicë serbe.

Gjithashtu, në njoftimin e misionit paqeruajtës theksohet se KFOR-i pret “konsultime me kohë” për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) që mund të ndikojë në sigurinë e gjerë rajonale.

“KFOR-i është njoftuar pak para fillimit të operacioneve kundër degëve të Bankës Kursimore të Postës të vendosura në komunat veriore të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potok. Personeli i KFOR-it nuk u përfshi në ekzekutimin e këtij operacioni”, njoftoi misioni të martën.

Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA) u shprehën të shqetësuara për mbylljen nga Policia e Kosovës të gjashtë filialeve të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në pjesën veriore të vendit, duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” dhe “veprimet e njëanshme” rrezikojnë t’i përshkallëzojnë tensionet ekzistuese midis Kosovës e Serbisë.

“Operacionet e së hënës dëshmojnë edhe një herë se autoritetet e Kosovës u japin prioritet veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët në terren”, deklaroi në një komunikatë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke vlerësuar ndër të tjera se mbyllja e këtyre zyrave pa një paralajmërim paraprak, cenon frymën e dialogut.

Në shkurt hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si e vetmja valutë ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme, duke ndaluar përdorimin e dinarit në zonat e banuara me serbë etnikë, kur përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe monedha serbe nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

“Ai [aksioni] minon perceptimin se Kosova vepron me mirëbesim për zgjidhjen e çështjeve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj – duke përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, theksoi SHBA-ja.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi e Petar Petkoviç – u mbyllën për mbi tetë orë në një prej zyrave të BE-së në Bruksel të Belgjikës më 15 maj për t’i vazhduar për herë të shtatë brenda pak muajsh negociatat mbi çështjen e dinarit, por që – sërish – rezultuan pa marrëveshje, ndërsa BE-ja shprehu gatishmëri të presë edhe një tjetër takimit për dinarin.

Megjithatë, për shkak se palët nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e fundit, terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë javët në vijim, ndërsa mbetet për t’u parë nëse lista e “skenarëve të dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet apo do të gjendet një zgjidhje në dialog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore