Lajme

Për herë të parë pas luftës, serbët mbajnë liturgji fetare, në objektin pa leje në Prishtinë


Në objektin pa leje dhe të papërfunduar të Kishës Ortodokse serbe “Krishti Shpëtimtar”, të enjten u mbajt liturgji fetare.

Në këtë objekt fetar, i cili gjendet në oborrin e Kampusit Universitar të Prishtinës, kjo është hera e parë pas luftës në Kosovë, që mbahet një liturgji fetare që nga viti 1998.

“Për herë të parë sot, ne po festojmë lavdinë në këtë tempull madhështor, por të papërfunduar, që paraardhësit tanë na lanë me detyrën për të shërbyer këtu, duke iu lutur Zotit dhe duke e përfunduar atë”, ka thënë Peshkopi Teodosije.

 

Kjo kishë kishte nisur të ndërtohej në vitin 1992, në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviçit, por deri në përfundim të luftës në Kosovë, më 1999, nuk arriti të përfundohej.

Kisha Ortodokse serbe mund të përfundojë në listën e rrënimeve, pasi askush nuk ka aplikuar për regjistër të ndërtimeve pa leje, në afatin që është përmbyllur në fillim të muajit qershor të vitit 2015.

E ndërtuar nën masat e dhunshme të viteve të 90’ta, kisha “Shpëtimtari i Krishtit”, është në shpërputhje edhe me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Paragrafi 2 i nenit 12 të këtij Ligji thotë se inspektimet e ndërtimit pa leje, duhet të përcaktojnë që aplikimet për leje për legalizim do të refuzohen, nëse organi kompetent është ndërtuar në pronë publike, përkatësisht në zonë me interes publik.

Pas luftës, Kisha Ortodokse Serbe ka tentuar në disa raste ta funksionalizojë, së fundi më 2016, por nuk është lejuar nga Komuna e Prishtinës, pasi u kërkua dokumentacioni për objektin.

Në vitin 2015, Universiteti i Prishtinës kishin bërë një padi për kthimin në pronësi të mbi 4 hektarëve që tashmë me një vendim të masave të dhunshme e ka Kisha Serbe.

Për arsye krejt banale, të mospranimit të ftesës, në seancën e vendosjes UP-ja nuk kishte prezantuar në Gjykatë. Kështu rasti kishte kaluar në shkallën e dytë.

Gjykata e shkallës së dytë, më 2017 i ka dhënë të drejtë Kishës Ortodokse në pretendimin për tokën që e ka në pronësi në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Edhe Gjykata e Shkallës së Dytë vendosi që ta hidhte poshtë padinë e UP-së, me çka ky institucion as sot e kësaj dite nuk e ka nën kontroll këtë hise toke që është në qendër të kampusit.

 

Pa leje dhe e ndërtuar në mënyrë ilegale ishte edhe Kisha Ortodoske serbe në fshatin Konjeviq Polje, në pjesën e kontrolluar nga etniteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë, e cila u rrënua para pesë ditësh.

Në tetor të vitit 2019, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, urdhëroi shembjen e Kishës, që ishte ndërtuar ilegalisht në pronën e Fata Orloviçit. Kjo e fundit ishte detyruar që të largohej nga shtëpia e saj gjatë luftës më 1992-1995.

Bashkëshorti i Fatas, së bashku me 20 anëtarë të tjerë të familjes, ishte vrarë nga forcat serbe në masakrën e Srebrenicës më 1995.

Fata Orloviç, që tashmë është 78-vjeçare, dhe 13 anëtarë të tjerë të familjes, kishin arritur t’i shpëtonin masakrës, por më pas kur u kthyen në shtëpi, e panë se vetëm disa metra nga shtëpia e tyre, kishte nisur ndërtimi i një kishe.

Gjykata vendosi se ndërtimi i kishës më 1998 ishte ilegale dhe urdhëroi autoritetet që të sigurohen që ky objekt do të shembej.

Vajza e Orloviçit, Hurija Kariç i tha Radios Evropa e Lirë se shembja e kishës ishte “fitore për nënën time dhe për të gjithë familjen, si dhe fitore për gjithë Bosnje dhe Hercegovinën”.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore