Shqipëria

“Java e Evropës”, Gonzato: Ta shoqërojmë Shqipërinë në rrugëtimin drejt BE-së


“Java e Evropës 2024” u vendos këtë të shtunë të 4 majit në qytetin e Shkodrës.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, përshëndeti këtë event duke u shprehur se është kënaqësi që “Java e Evropës” po çelet në Shkodër.

“Është vërtetë kënaqësi sepse sot kemi dhe panairin e BE-së dhe kemi 3 tema kryesore mbi të cilat do të fokusohemi, të cilat janë gjithëpërfshirja, larmishmëria në shoqëri dhe të drejtat e njeriut”, tha Gonzato në nisje.

Ai theksoi se janë tre vlera kryesore të cilat “ne dëshirojmë t’i promovojmë gjatë javës së Evropës në vitin 2024”.

“Roli i delegacionit Evropian është që ne ta shoqërojmë Shqipërinë në rrugëtimin drejt BE-së, për t’u bërë shtet anëtar. Por që Shqipëria të bëhet shtet anëtarë do të duhet të ndryshojnë shumë gjëra. Do të duhet që vendi të modernizohet më tej, do të duhet që edhe infrastruktura të ndryshojë, gjithashtu edhe standardet të përmirësohen”.

Në Shkodër, studentët e Akademisë së Arteve organizuan një ekspozitë me temë “Të drejtat e njeriut dhe diversiteti”, ku u zhvillua një panel diskutimi me përfaqësues të shoqërisë civile vendase mbi të Drejtat e Njeriut, Diversitetin dhe Gjithëpërfshirjen.

Këtë vit, Delegacioni i BE-së ka partneritet me “Western Balkans Youth Orchestra” (Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor), një platformë për bashkëpunimin e muzikantëve të rinj profesionistë që synon të bashkojë rininë e rajonit.

Më 6 maj “Java e Evropës” do të zhvendoset në Pazarin e Gjirokastrës, ku Panairi i BE-së do të ndërthurë zhanre të ndryshme muzikore, përmes shfaqjeve të grupeve kulturore vendase rome dhe egjiptiane dhe muzikantëve të Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor.

Aty do të përurohet Tregu Tradicional i Artizanatit Rom të financuar nga BE-ja dhe do të organizohet një panel diskutimi mbi harmoninë etnike dhe fetare të komuniteteve lokale.

Në Tiranë, Java e Evropës do të zhvillohet në Sheshin Italia, më 9 maj, me panairin e BE-së dhe performancat e muzikantëve të Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu do të nisin projekte të reja, të financuara nga BE, të përfshirjes sociale dhe do të diskutohet 20 vjetori i zgjerimit të BE-së në 2004.

Panairi On Air do të transmetojë drejtpërdrejt intervista dhe diskutime mbi aktivitete të ndryshme, masterklasa, koncerte, ekspozita, lancime projektesh gjithëpërfshirëse, inaugurime shkollash, iniciativa rinore, panaire artizanësh.

Kjo për të promovuar më tej barazinë, përfshirjen sociale, duke synuar të tregohet kulturë e pasur, duke frymëzuar kështu ndryshimin në një shoqëri që ka një vend për të gjithë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore