Kosova

Plagosja e trefishtë në Pejë – arrestohet një i dyshuar, dorasi në arrati


Ilustrim

Për rastin e plagosjes së tre personave të mërkurën mbrëma në Pejë është arrestuar një i dyshuar, ka njoftuar prokurori i rastit.

Ersan Qavolli, prokuror i rastit nga Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se i pandehuri tashmë i arrestuar dyshohet për dhënie të ndihmës për kryerjen e veprës penale.

Qavolli, ndër të tjera i ka thënë Betimit për Drejtësi, se i dyshuar kryesor i rastit është ende në arrati.

Prokurori i rastit nuk ka dhënë asnjë detaj për motivet e vrasjes së trefishtë në Pejë me arsyetimin e ndjeshmërisë së rastit.

Tre persona janë plagosur nga arma e zjarrit mbrëmjen e së mërkurës në Pejë.

Lajmin për Albanian Post, e kishte konfirmuar Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Tre të plagosurit aktualisht po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ku edhe i janë nënshtruar operimeve.

Ndryshe edhe dy persona kanë mbetur të plagosur në Gjonaj të Prizrenit si pasojë e një përleshjeje që ka ndodhur në mbrëmjen e së mërkurës.

Dy persona janë lënduar, njëri prej tyre me armë zjarri.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

Gashi ka bërë të ditur se njëri nga dy personat është lënduar me mjete të forta, ndërsa tjetri me armë zjarri.

Ai njoftoi se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit, derisa theksoi se personat e dyshuar janë në kërkim nga policia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore