Shqipëria

Në katër vite bien ndjeshëm diplomantët në ciklin Bachelor


Mbi 26%. Është kjo shifra, me të cilën diplomantët e ciklit Bachelor, ranë në katër vitet e fundit në Shqipëri.

Një shifër kjo, e cila reflekton rënien e numrit të studentëve në ciklet e para të studimeve të larta dhe të personave, të cilët e përmbyllin këtë cikël.

Kështu është bërë me dije nga një publikim i Institutit të Statistikave në Shqipëri (INSTAT), teksa me ritmet më të shpejta raportimi thotë se i referohet një braktisjeje masive për studimet për mësues.

Ndërsa, vetëm në vitin 2023, numri i diplomave në ciklin e parë të studimeve të larta u tkurr me 14%.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2019 u shpërndanë 18 mijë e 696 diploma Bachelor në të gjithë arsimin e lartë publik dhe privat, ndërsa në vitin 2023 u shpërndanë vetën 13 mijë e 800 të tilla.

Më tej, bëhen publike edhe shifrat e fushave që lidhen me mësuesinë, ku në vitin 2022 u shpërndanë vetëm 341 diploma, kur në vitin 2015 shifrat ndaleshin në 1 mijë e 613.

Kjo gjë e bën shumë të vështirë edhe zëvendësimin aktual të vakancave në tregun e punës në të gjithë vendin.

Bashki të tilla si Kukësi, apo Dibra, kanë mungesa radikale të mësuesve të matematikës.

Vëmendja kryesore ndërkaq duket se është zhvendosur për nga degët e studimeve që kanë lidhje me shërbimet.

Me zhvillimin e turizmit, ka një referim në rritje të nxënësve që po kërkojnë degë studimi në fushën e shërbimeve, ku rritja e përllogaritur nga viti 2015, është me 110%.

Degë të tjera, të cilat po preferohen dhe nuk kanë shfaqur rënie janë ato të inxhinierisë, apo informatikës. Gjithashtu, edhe diplomat Bachelor, së cilat kanë lidhje me shëndetin, janë rritur në mënyrë të kënaqshme, duke përfshirë më tej edhe degë në shkenca sociale, apo gazetaria, e cila është rritur me 8% në dhënien e diplomave Bachelor.

Ndërkohë ka rënie të ndjeshme të diplomave në artet dhe shkenca humane me 29% dhe biznes, administrim dhe ligje me 29%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore