Shqipëria

Shqipëria bashkësponsorizoi dhe mbështeti rezolutën për Srebrenicën, thotë Hasani


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka bërë me dije përmes një publikimi në X, ish-Twitter, se Shqipëria ka qenë bashkësponsorizuese, përpos mbështetëse për rezolutën e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila dënon gjenocidin serb në Srebrenicë.

“Çdo vit, 11 korriku do të jetë dita për të nderuar viktimat dhe për të mbështetur të mbijetuarit e gjenocidit në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe kudo, dhe një kujtim i ashpër i tmerreve të së kaluarës, në mënyrë që ato të mos përsëriten në të ardhmen”, shkruan Hasani.

Më tej, ai bën me dije edhe se Shqipëria bashkë-sponsorizoi dhe mbështeti këtë Rezolutë, në një nga faqet më të errëta në historinë e Ballkanit, Evropës dhe Botës.

 

Nga ana tjetër, sipas Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, rezoluta e votuar së fundmi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, sa i takon dënimit të gjenocidit serb në Srebrenicë, do të shërbejë si një kujtesë për të shmangur përsëritjen e të tilla masakrave në të ardhmen.

Kështu shkruan kreu i shtetit, pas miratimit të kësaj rezolute, që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. Rezoluta kaloi me 84 vota në favor, kundër 19 dhe 68 abstenime.

Shqipëria, sipas presidentit, e tregoi edhe njëherë linjëzimin e qartë me vlerat perëndimore, duke votuar pro rezolutës për Srebrenicën në OKB.

“Kjo datë do të shërbejë si një kujtesë e përhershme për të dënuar gjenocidin, duke siguruar që masakra të tilla nuk do të përsëriten kurrë dhe njëkohësisht do të japë një përgjigje për ata që mohojnë gjenocidin dhe krime të tilla të tmerrshme”, përmend ai.

 

 

Të njëjtin qëndrim si Shqipëria kanë mbajtur edhe vendet e tjera të rajonit (përveç Serbisë), të cilat në bllok (Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Mali i Zi), kanë votuar pro rezolutës.

Problem kanë mbetur vende brenda bashkësisë evropiane, të cilat janë rreshtuar në “neutralitet” duke abstenuar rezolutën, por që në të vërtetë reflekton një qëndrim kundër vetë Bashkimit Evropian si formacion.

Të tilla kanë qenë qëndrimet e Greqisë, Sllovakisë dhe Qipros, të katërta abstenuese të rezolutës.

Ndërsa, siç ishte deklaruar më parë, Hungaria ka pasur një qëndrim edhe më të rrezikshëm, duke votuar kundër rezolutës dhe duke u rreshtuar njësh me Rusinë dhe Kinën në këtë kauzë.

Rezoluta për Srebrenicën që u miratua mes kundërshtimit të ashpër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, dënon mohimin e gjenocidit të kryer nga serbët më 11 korrik 1995, përkundër se në rezolutë nuk përmendet as Serbia, as Republika Sërpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë.

Në Srebrenicë, forcat serbe të udhëhequra nga krimineli Ratko Mlladiç vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore