Shqipëria

‘Të mbrohet familja dhe liria e fjalës’ – Koalicioni Pro Familjes nis peticionin dhe mbledhjen e firmave


Koalicioni shqiptar Pro Familjes dhe Jetës ka nisur mbledhjen e firmave, në një peticion të etiketuar si “Pro Familjes”.

Sipas këtij koalicioni, peticioni është nxitur nga ngjarjet e fundit në Tiranë, ku ata përmendin ceremoninë formale martesore mes një çifti të të njëjtës gjini në tarracën e Bashkisë Tiranë dhe projektligjet e propozuara, që sipas tyre “godasin” familjen.

Përmes një publikimi në media sociale, Koalicioni po ashtu ka shprehur shqetësime rreth një pretendimi për gjuhën e urrejtjes fetare, e cila sipas tyre është përdorur ditët e fundit në emisione televizive nga anëtarë të komunitetit LGBT+ dhe përfaqësues të organizatave civile.

Çfarë thuhet në reagimin e tyre?

Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës shpreh shqetësimin për gjuhën e urrejtjes fetare që është përdorur ditët e fundit në emisione televizive nga anëtarë të komunitetit LGBT+ dhe përfaqësues të organizatave civile.

Këto sulme jo vetëm krijojnë sterotipizime ndaj bashkësive fetare në Shqipëri, por në thelb mbartin gjuhë urrejtje ndaj komuniteteve të besimit, doktrinës së fesë dhe klerikëve që shërbejnë në këto komunitete.

Kjo gjuhë urrejtje përbën një precedent të rëndë të prishjes së bashkëjetesës fetare mes feve dhe zgjon tensione në shoqëri.

Vërejmë se shkak për gjuhën e urrejtjes ndaj bashkësive fetare dhe krahasimeve aspak të duhura, janë bërë deklaratat e fundit të komuniteteve fetare në Shqipëri, të cilat në unanimitet janë shprehur pro familjes dhe martesës tradicionale dhe kundër martesave të së njëjtës gjini, si dhe kundër projektligjit për surrogacinë, abortin dhe sterilizimin e të rinjve.

Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës, i kërkon me shqetësim “Alencës kundër gjuhës së urrejtjes”, të përbërë nga: Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Shoqata “Këshilli Shqiptar i Medias” që të marrë masa ndaj kësaj gjuhe urrejtje fetare, pasi gjuha e përdorur krijon një precedent të rrezikshëm ndaj asaj që në Shqipëri vlerësohet si harmoni fetare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore