Lajme

Sela: Tryeza e përbashkët shqiptare në këtë moment është më se e nevojshme


Ziadin Sela

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka thënë se në këto momente është me se e nevojshme tryeza e përbashkët shqiptare e përfaqësuesve politikë në Maqedoni të Veriut.

Këto komente, Sela i ka bërë në një intervistë për “TV21”, në një kohë kur partia fituese e zgjedhjeve në Maqedoni të Veriut, VMRO-DPMNE, është duke zhvilluar negociatat për koalicionin qeverisës me “VLEN”-it, duke anashkaluar kështu fituesin në taborin shqiptar, “Frontin Evropian”.

“A ju kujtohet sa gjatë kam fol për tryezën e përbashkët të partive politike parlamentare shqiptare, për këto momente kjo tryezë është e nevojshme. Këto janë momentet me të cilët ndodhemi edhe si faktor politik, edhe fituesit edhe humbësit edhe ‘Fronti Evropian’ edhe ‘VLEN’, të gjithë bashkë i japin më kuptim legjitimitetit të shqiptarëve”, ka thënë Sela.

Kreu i ASH-së ka potencuar se fituesi i zgjedhjeve merr të drejtën legjitime për t’i përfaqësuar të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ata që nuk e kanë votuar.

Ai ka shtuar se nuk mund të thirresh në shtet unitar – siç është Maqedonia e Veriut – dhe të shkelësh vullnetin e 30 për qind të shqiptarëve, duke iu referuar qasjes së VMRO-së në raport me shqiptarët.

“Ti nuk mund të jesh për të ruajtur karakterin unitar të shtetit dhe të njëjtën kohë t’i japësh të drejtën vetes që të shkelësh mbi vullnetin e mbi 30 për qind e numrit të përgjithshëm të popullatës shqiptare që është në vend…”, deklaroi Sela.

Në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni të Veriut, sa i përket kampit shqiptar, fitues me mbi 30 mijë vota doli “Fronti Evropian”, i cili, pas rivotimit të së mërkurës, numëron 18 deputetë, apo 4 më shumë seç fitoi koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN”, të cilët morën 14 ulëse në kuvend.

Ndërsa, te kampi maqedonas, fitues absolut është partia nacionaliste VMRO-DPMNE, e cila siguroi plotë 58 ulëse në parlamentin e Maqedonisë së Veriut nga 120 sa i ka gjithsejtë, derisa LSDM-ja, partia që deri më tani kishte pushtetin mori vetëm 18 deputetë – rezultatin më të dobët në histori të saj.

Ulëse në kuvendin maqedonas kanë fituar edhe dy parti të tjera maqedonase. Nga 5 sosh i kanë marrë e majta ekstrem “Levica”, dhe Lëvizja “ZNAM”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore