Lajme

Niger, pa një strategji të vërtetë Biden po humbet Afrikën


SHBA-të po humbasin sfidën gjeopolitike për të ardhmen e Afrikës.

Takimi që ndodhi ditët e fundit në Niger midis ushtarëve amerikanë, të dëbuar nga vendi, dhe ushtarëve rusë, të ftuar në vend të tyre, është vetëm shembulli i fundit i një riorganizimi strategjik të vazhdueshëm në rajonin e Sahelit, i cili megjithatë mund të përhapet në gjithë kontinentin.

Kriza e mundshme në bazën ajrore 101 në Niamey deri më tani është menaxhuar me përgjegjësi nga Uashingtoni dhe Moska, duke shmangur probleme të forta, por analistët janë unanim në gjykimin se kjo është prova e fundit e nevojës për të ndryshuar strategjinë.

Roli i Nigerit

Nigeri ishte një bastion themelor për Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrorizmit, veçanërisht atë të ISIS dhe grupit të lidhur me al Kaedën, Jama’at Nursat al Islam.

Ndaj kishin ndërtuar dy baza, atë ngjitur me aeroportin Diori Hamani në kryeqytet, ku strehohen edhe ushtarët italianë dhe Airbase 201 në Agadez, që kushtoi mbi 100 milionë dollarë.

Pas grushtit të shtetit në Niger, të dërguarit amerikanë u takuan me qeverinë e re në mes të marsit për të diskutuar të ardhmen e operacioneve.

Ata paralajmëruan se nuk mund të ndajnë bazat me personelin rus dhe nuk donin që Niamey t’i shiste uranium Iranit.

Përgjigja ishte kërkesa për t’u larguar nga vendi.

Për momentin rreth 1 mijë ushtarë amerikanë janë ende në Niger, por ditët e fundit disa ushtarë nga Moska kanë mbërritur në bazën ajrore 101.

Kreu i Pentagonit Austin e konfirmoi këtë, duke nënvizuar se “rusët janë në një kazermë të veçantë, pa qasje me forcat e SHBA-ve apo me pajisjet tona dhe për momentin nuk shoh ndonjë problem të rëndësishëm për mbrojtjen e tyre”.

Sido ky të përfundojë ky episod, tendenca është e qartë.

Kohët e fundit, ushtarët amerikanë janë dëbuar nga Çadi dhe Nigeri, dhe ushtarët francezë nga Mali dhe Burkina Faso.

Në shumë raste, vendi i tyre është zëvendësuar nga ish-mercenarët e Grupit Wagner, të cilët pas vrasjes së themeluesit të tyre Prigozhin u vendosën në Korpusin Afrikan të varur drejtpërdrejt nga Kremlini.

Loja kineze

Ndërkohë, edhe Kina vijon depërtimin e saj në kontinent, me bazën ushtarake në Xhibuti, por mbi të gjitha me programet ekonomike që kanë nisur që para nisjes së Rrugës së re të Mëndafshit.

Si Pekini ashtu edhe Moska, janë të përkushtuar për të pushtuar Jugun global për të krijuar një bllok alternativ ndaj atij perëndimor, kanë ambicien për të zgjeruar praninë e tyre në nivel gjeografik dhe politik.

Prandaj dëbimi i SHBA-ve është serioz për arsye të menjëhershme sigurie, pasi shkakton shembjen e disa shtyllave themelore për luftën kundër terrorizmit dhe kontrollin e migracionit, por edhe për probleme strategjike afatgjata.

Afrika në fakt është bërë fusha kryesore e betejës kundër më shumë grupeve ekstremiste, me gjysmën e vdekjeve të shkaktuara nga terroristët në të gjithë globin, por është gjithashtu rajoni që do të shohë një rritje prej 25% të popullsisë globale në vitin 2050, me një fuqi punëtore më të lartë se në Kinë dhe Indi.

Ajo ka burime të jashtëzakonshme natyrore dhe minerale, dhe për të gjitha problemet e saj ajo sheh 6 nga 10 ekonomitë me rritje më të shpejtë në botë.

Përballë kësaj sfide, zërat që i kërkojnë Uashingtonit të ndryshojë strategjinë e tij po bëhen gjithnjë e më të forta.

Trump e kishte neglizhuar plotësisht kontinentin, duke thënë se ai nuk e shihte ku qëndronte benefiti në humbjen e burimeve për vendet që ai i kishte përcaktuar si “hale”.

Biden i kushtoi disi më shumë vëmendje, por nuk e mbajti premtimin e tij për të vizituar Afrikën.

Prandaj, strategjia amerikane mbeti e fokusuar në siguri dhe për rrjedhojë në bashkëpunimin me qeveritë që strehojnë bazat për të luftuar terrorizmin.

Si Foreign Policy ashtu edhe New York Times kanë shkruar se kjo nuk mjafton më.

Rusia po depërton në kontinent duke u dhënë mbështetje ushtarake qeverive, sido që ato drejtohen, dhe në këmbim i lejohet të jetë e pranishme dhe të shfrytëzojë burimet natyrore.

Kina ka vite që investon në Afrikë pa vendosur kushte politike apo morale, duke fituar akses.

SHBA-të duhet të mbrohen nga terrorizmi dhe nuk mund të shkelin parimet e tyre, por sipas analistëve duhet t’i shtojnë sigurisë zhvillimin ekonomik dhe promovimin e demokracive, të anashkalojnë Moskën dhe Pekinin dhe të rifitojnë kontinentin.

Marrë nga “La Repubblica

Niger, trupa ruse hyjnë në bazën ku ndodheshin trupat amerikane

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore