Lajme

Shaheen thotë se përgjegjësit e 24 shtatorit duhet të japin llogari: Serbia të bashkëpunojë


Senatorja amerikane nga radhët e Demokratëve, Jeanne Shaheen, në një konferencë të shkurtër për media pas takimet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit tha se në këtë fazë është shumë e rëndësishme që përgjegjësit e këtij akti terrorist të japin llogari para drejtësisë.

“Shpresojë me të vërtetë që Serbia do të bashkëpunojë për këtë çështje”, tha ajo fillimisht.

Senatorja amerikane është shprehur e bindur se për një stabilitet dhe paqe afatgjate në Kosovë duhet që të gjendet një formë e bashkëjetesës me Serbinë, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kjo është e rëndësishme për qytetarët e Kosovës, derisa i shohim sfidat që janë nëpër botë tani, lufta në Ukrainë e me atë që sapo ndodhi në Lindjen e Mesme”.

Shaheen ndër të tjera tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kuptojnë mjaft kosovarët, të cilët, sipas saj dinë shumë mirë që dhuna dhe konflikti nuk është zgjidhje për të tejkaluar dallimet.

“Është shumë e rëndësishme që të gjithë të bëjmë krejt çka mundemi për një zgjidhje paqësore në këtë rajon”.

Jeanne Shaheen dhe Vjosa Osmani

Ajo ka bërë të ditur se së bashku me senatorin amerikan, Peter Welch, janë në Prishtinë për të shprehur mbështetjen amerikane për Kosovën.

“Do të vazhdojmë të qëndrojmë përkrahë juve”.

Gjatë fjalës së saj ajo ka shprehur edhe keqardhjen dhe ngushëllimet e popullit amerikan ndaj popullit të Kosovës për ngjarjet e 24 shtatorit.

“E dimë që është shumë shqetësuese ngjarja për të gjithë qytetarët. Por, ne e çmojmë gjithashtu rritjen e numrit të trupave të NATO-s në Kosovë dhe rolin që KFOR-i po vazhdon ta luajë për të ruajtur stabilitetin në këtë rajon”.

Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Peter Welch po qëndrojnë në Kosovë. Ata kanë takuar presidenten e vendit dhe pritet të takohen edhe me kryeministrin.

Osmani, senatorëve amerikanë: Serbia t’i dorëzojë terroristet në Kosovë që të gjykohen nga institucionet e drejtësisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore