Kosova

Osmani, senatorëve amerikanë: Serbia t’i dorëzojë terroristet në Kosovë që të gjykohen nga institucionet e drejtësisë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe senatorët amerikanë Peter Welch dhe Jeanne Shaheen.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë të përbashkët me senatoren Jeanne Shaheen, së bashku me senatorin Peter Welch, të cilët po qëndrojnë në Kosovë ka bërë të ditur se të dy senatorët i ka njoftuar për sulmet e 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit.

“Senatoret Shahenn dhe Welch i njoftova për rrjedhjen e ngjarjes së 24 shtatorit, për dëshmitë e siguruara nga institucionet e Kosovës si dhe hapat që Republika e Kosovës, në koordinim të ngushtë me partnerët e saj po ndërmerre për t’i tejkaluara sfidat e sigurisë të krijuar nga ky akt i agresionit të Serbisë”.

Osmani, gjatë konferencës ka kërkuar që terroristet e Serbisë të dorëzohen në Kosovë dhe të gjykohen nga sistemi i drejtësisë e po ashtu të rriten garancitë e sigurisë në kufirin Kosovë-Serbi.

“Gjëja më e rëndësishme tani në mënyrë që të parandalohen akte të tilla agresioni që do ta destabilizonin të gjithë rajonin tonë është që Serbia të mbahet përgjegjëse për aktin e agresionit t’i dorëzojë terroristët në Republikën e Kosovës, që të përballet me sistemin tonë të drejtësisë dhe të rriten garancitë e sigurisë në raport me Kosovën, që të mbrohet kufiri Kosovë-Serbi nga sulmet e tilla në të ardhmen”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe senatorja amerikane Jeanne Shaheen.

Sipas presidentes, Kosova ka treguar seriozitet ndërsa në Serbi është vërejtur e kundërta.

“Kosova, ka treguar seriozitet nëpërmjet veprimeve ligj zbatuese, kurse në Serbi e kemi parë të kundërtën ku regjimi i Vuçiç-it, jo vetëm që nuk distancohet dhe nuk arreston anëtarët e grupit terrorist, por, ka vendosur që atyre të ju ofroj mbështetje dhe t’i glorifikoj ata”.

Teksa, ka theksuar se veprimet e Serbisë, janë paralajmërim për destabilizim të Ballkanit Perëndimor.

“Natyrisht, që synimet e Serbisë nuk mjaftohen vetëm për Kosovën, por janë paralajmërim i qartë i saj se Serbia duke shërbyer si satelit i Serbisë ka për qëllim të destabilizoj tërë Ballkanin Perëndimor”.

Shaheen dhe Welch, të premten edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti takimi ky i cili tashmë ka nisur.

Vizita e senatores Shaheen nuk është e para në Kosovë. Në prill të vitit 2021, së bashku me homologët e saj, Chris Murphy dhe Thom Tillis, ajo kishte qëndruar në Prishtinë në kuadër të një vizite në vendet e Ballkanit Perëndimor pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë në shkurt të atij viti.

Senatorët vijnë në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në fund të shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Ligjvënësit amerikanë kanë qenë shumë aktivë edhe nëpërmjet lidhjeve telefonike dhe letrave dërguar autoriteteve kosovare dhe serbe për nevojën e de-përshkallëzimit të situatës dhe zbatimin e marrëveshjeve që palët kanë marrë përsipër, veçanërisht në fundit të shkurtit në Bruksel dhe në mes të marsit në Ohër, përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Shaheen thotë se përgjegjësit e 24 shtatorit duhet të japin llogari: Serbia të bashkëpunojë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore