Lajme

Rreziku i përshkallëzimit të situatës në Veri – rreth 400 policë serbë mund të largohen nga institucioni, por mos t’i dorëzojnë armët dhe uniformat


Foto nga Albanian Post

Kosova ka nënshkruar tri marrëveshje me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Një nga marrëveshjet është për lëvizjen e lirë nëpër të gjitha këto shtete vetëm me letër njoftim.

Në të njëjtën kohë, për policët e Kosovës është bërë e vështirë lëvizja edhe brenda vetë territorit – në Veri.

Policia gjatë të martës njoftoi se janë sulmuar policë derisa po patrullonin nëpër brezin kufitar në Zubin Potok.

“Dy të shtëna radhazi, përderisa ishin në realizim të detyrave të tyre në vendin e quajtur Jabuke”, shpjegonte komunikata.

Por, bandat kriminale s’janë rreziku i vetëm për policët e Kosovës që nga tre nëntori.

Ekziston rreziku që rreth 400 kolegë të tyre serbë në Veri, të largohen nga detyra zyrtare, pasi kështu u ka bërë thirrje lideri politik i serbëve të Kosovës, Goran Rakiç.

Nëse ky grup policësh serbe të Kosovës largohen, Albanian Post ka kuptuar brenda burimeve të policisë se ka shumë rrezik që ata nuk do të dorëzojnë armët zyrtare, meqë largimi nuk po ndodhë si bindje ndaj ligjit, por revoltim ndaj tij.

AP ka mësuar gjithashtu se njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë “në gjendje gatishmërie” në Veri.

Të shtunën, kur Rakiç do mbajë konferencën për media, do të kuptohet nëse serbët do largohen përfundimisht nga institucionet, si protestë e vendimit të Qeverisë së Kosovës që të qortohen serbët që vozisin vetura me targa ilegale.

Serbët e Kosovës, shumica dërrmuese, nuk duan të heqin dorë nga targat që lëshohen në Serbi. Një pakicë tjetër që ka provuar t’i ndryshojë targat dhe të kalojë në ato të Kosovës, ka parë veturën e djegur të nesërmen, nga strukturat ilegale paramilitare atje.

Por, si rrodhën gjërat?

Gjithçka nisi me njoftimin e Qeverisë së Kosovës të premten që shkoi se vendimi për aplikimin e masave ndaj veturave me targa ilegale nuk do të shtyhet – siç kërkuan partnerët ndërkombëtarë – por do të shkallëzohet.

“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit, pastaj për dy muaj ajo e gjobës dhe nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë” dhe në në fund do filloi konfiskimi i veturave me targa ilegale, pati shpjeguar kryeministri.

Vendimit i reaguan me keqardhje partnerët ndërkombëtarë që i kishin kërkuar shtyrje, por vetë Lista Serbe doli me një kërcenim.

“Masa e parë e gjobës do të jetë shkak për përgjigje dhe rezistencë të ashpër të popullit serb”, u tha në një komunikatë zyrtare.

Gjoba prej 150 eurove do jepeshin pas tri javësh, por Rakic nuk e priti këtë moment.

Fillimisht, Drejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Nenad Gjuriç, doli me konferencë për media dhe deklaroi se policia në atë pjesë të Kosovës nuk do ta zbatojë as vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese.

Ai, i mbështetur nga Lista Serbe, pohoi se këtë vendim e konsiderojnë “politik dhe drejtuar kundër komunitetit serb”.

Drejtori i suspenduar i policise per Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriç.

Pas këtij deklarimi, Inspektorati Policor i Kosovës, njoftoi se Gjuriç është suspenduar për shkak të mosrealizimit të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare.

Vendimi e përshkallëzoi situatën dhe në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Rakiç ka bërë të ditur që kanë vendosur të largohen nga institucionet e Kosovës.

Por, largimi nuk ka të bëjë vetëm me nivelin politik.

“Të gjithë serbët të largohen nga institucionet e Kosovës në Veri, por edhe nga komunat, nga prokuroria, nga gjykata, nga policia dhe nga të gjitha institucionet e tjera”, tha Rakiç.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë për Albanian Post se përkundër që variron numri, “në Veri janë diku rreth 400 policë serbë”.

Qalaj, tani deputet i Kosovës, thotë se “gjithmonë ka mundësi të përshkallëzohet situata në Veri”.

Nga Qeveria e Kosovës ende nuk kanë komentuar zhvillimet e fundit në Veri dhe as njoftimin e Rakiç-it, por në Serbi, drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, ka deklaruar se “Pezullimi i Gjuriç-it është fillimi i fundit të Marrëveshjes së Brukselit”.

I vetmi që ka komunikuar deri tani në Kosovë është ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, por vetëm për të komentuar nevojën e suspendimitn të Gjuric.

“Policia e Kosovës është një dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kenë të njëjtin mision: sundimin e ligjit dhe krijimin e ambientit të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cenon këtë mision dhe bashkë me Policinë e Kosovës do të vazhdojmë zbatimin e tij”, deklaroi ai përmes një postimi në Facebook.

Më vonë, Policia e Kosovës lëshoi edhe një njoftim ku thuhej se janë shpallur në kërkim gjashtë persona të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

Nga policia është kërkuar ndihma e qytetarëve për informacione rreth tyre, ndërsa ka publikuar edhe fotografitë e personave të kërkuar bashkë me emrat e tyre.

Bëhet fjalë për gjashtë serbë që kanë kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Të njëjtit, ishin shpallur në kërkim edhe para disa viteve.

Të gjitha këto zhvillime të parapara dhe tensionet eventuale ishin shqetësimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe shteteve të QUINT-it, prandaj ishte kërkuar shtyrje e vendimit nga Kurti.

Kërkesat për shtyrje kanë vazhduar edhe pas njoftimit të qeverisë për sekuencimin e zbatimit të vendimit.

I shqetësuar me sigurinë në vend dhe atë çfarë po ndodhë në veri është shfaqur edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai ka mbajtur fillimisht konferenc për media, e më pas me një status në Facebook ka shkruar se mos-bindja e Kurtit ndaj kërkesave amerikane “po rrëshqet në tradhti”.

Situata në Kosovë po përkeqësohet nga çasti në çast e Kryeministri nuk e ka idenë se çka po ndodhë me vendin e tij, ka shkruar Haradinaj, duke i bërë kërkesë që “urgjentisht të ndërrojë kahje e ta shfuqizojë vendimin e tij për targat e të mos e rrezikojë stabilitetin në vend”.

Ekskluzive: 300 të armatosur në Veri, raportet e inteligjencës zbulojnë grupin paramilitar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore