Lajme

Suspendohet drejtori rajonal i Mitrovicës së Veriut


Drejtori rajonal i Mitrovicë së Veriut, Nenad Gjuriç.

Drejtori rajonal i Mitrovicë së Veriut, Nenad Gjuriç, është suspenduar për shkak të mosrealizimit të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare.

Lajmin e ka bërë të ditur Inspektorati Policor i Kosovës përmes një komunikate për media.

“Suspendimi i tij është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ Nr.04/19 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së”.

Inspektorati Policor i Kosovës ka kërkuar nga Policia e Kosovës suspendimin e Drejtorit Rajonal të Mitrovicës së Veriut.

Këtë rekomandim IKP-ja e ka bërë përmes një komunikate për media.

“Krahas hetimit penal do të shikohet edhe përgjegjësia administrative. Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së është rekomanduar suspendimi i të njëjtit”, thuhet në komunikatën për media.

Policia e Kosovës.

Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicës së Veriut është duke u dyshuar se ka kryer veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrja për rezistencë”.

“Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së është rekomanduar suspendimi i të njëjtit. Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit”.

Drejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Nenad Gjuriç, ka deklaruar të mërkurën se policia në atë pjesë të Kosovës nuk do ta zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese, sepse këtë vendim e ka konsideruar “politik dhe drejtuar kundër komunitetit serb”.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, ka pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.

Shkallëzimi tjetër do të jetë vendosja për dy muaj e tabelave provuese dhe vetëm pas 21 prillit të vitit 2023. Kurti tha se do të konfiskohen targat ilegale KM.

“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Më pas, deri me 21 janar do të shpërndahen gjoba. Dhe pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, shpjegoj Kurti në mbledhje të qeverisë.

Kryeministri e ka pranuar se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore