Lajme

SHBA-të të zhgënjyera dhe shqetësuara me Qeverinë e Kosovës


Përkundër vendimit të Qeverisë së Kosovës, që të përshkallëzohet vendimi për tabelat dhe nga 1 nëntori veturat të mos konfiskohen, por vetëm të qortohen, Shtetet e Bashkuara të Amerikës prapë kanë shprehur pakënaqësi me qeverinë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me partnerët ndërkombëtarë, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta shtyjnë periudhën e zbatimit për tabelat e reja. Kosova ka të drejtë të zbatojë këtë vendim sipas Marrëveshjes së Brukselit, por një shtyrje e afatit është në interes e të bërit progres në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në normalizimin e raporteve të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e zyrës për media të Departamentit të Shtetit Amerikan.

“SHBA-të janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë çfarë i kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë”, vazhdon komunikata.

“Kosova dhe Serbia duhet urgjentisht dhe në mënyrë fleksibile të punojnë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimi raportesh me synim njohjen e ndërsjellë. Është e rëndësishme që të dyja palët të reduktojnë retorikën inflametore, dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të demonstruar përkushtimin e tyre për një bashkëpunim konstruktiv që të sigurojnë stabilitet dhe të ardhme për rajonin”.

Njoftimi i Qeverisë Amerikane vjen përkundër masave që qeveria mori, duke shtyrë afatin për konfiskim të veturave me targa ilegale deri me 21 prill të vitit 2023.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se kanë vendosur që ta shkallëzojnë vendimin e tyre dhe e prezantoi atë para qeverisë.

“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Më pas, deri me 21 janar do të shpërndahen gjoba. Dhe pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, shpjegoj Kurti në mbledhje të qeverisë”, shpjegoi Kurti.

Kryeministri madje e pranoi se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore