Lajme

Policia e Kosovës shpall në kërkim gjashtë persona për krime lufte


Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim gjashtë persona të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

Nga policia është kërkuar ndihma e qytetarëve për informacione rreth tyre, ndërsa ka publikuar edhe fotografitë e personave të kërkuar bashkë me emrat e tyre.

Personat e shpallur në kërkim janë: AKSIĆ (Voimir) Ćedomir; data e lindjes; 10.05.1960, DENIC (Slobodan) Dragan; data e lindjes; 10.12.1967, JOVANOVIĆ (Milan) Stojan; data e lindjes; 14.10.1961, PAUNOVIĆ (Slavujko) Goroljub; data e lindjes; 07.05.1969, RAĆIĆ (Janko) Dejan; data e lindjes; 10.12.1974, RAJKOVIĆ (Ivica ) Ljubiša; data e lindjes; 07.12.1974.

Më 2 nëntor, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj një serbi me inicialet inicialet D.A, i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile në vitin 1999.

“Fillimisht ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës me rrethinë, pastaj kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve i’a kanë vënë zjarrin”, thuhej në njoftim të Prokurorisë.

Sipas organit të aktakuzës, i njëjti me grupet e lartcekura ka marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë dhe në vrasje.

“Po ashtu, kanë marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, e disa nga ta i kanë plagosur dhe vrarë, e në mes të këtyre viktimave, ka marrë pjesë në ekzekutimin e viktimës, tani të ndjerit B.Sh., veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”.

Të martën e 18 tetorit, një shtetas serb është arrestuar në Budapest të Hungarisë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Lajmin për Albanian Post, e ka konfirmuar Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

“Përmes kërkesës së Prokurorisë Speciale është lëshuar nga Gjykata letër rreshtimi ndërkombëtar në bazë të së cilit është arrestuar ky person”.

“Ai dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjet që kanë ndodhur në rajonin e Pejës, dhe shumë shpejtë pritet të ekstradohet në Kosovë porsa të përfundojnë të gjithë procedurat”, deklaroi ai për AP.

Edhe më 3 qershor, një qytetar serb është arrestuar për krime lufte të kryera ndaj popullatës civile në Kosovë në periudhën gjatë viteve 1998-1999.

I njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje dhe rasti është nën hetime.

Ai është i akuzuar për rrahjen e një kosovari nga fshati Gurrakoc pak para përfundimit të luftës.

I njëjti akuzohej edhe për tortura dhe maltretim të popullsisë civile në Istog si rezervist në ish-policinë serbe.

Rrëfimi i dëshmitarit nga masakra në “Kristal” të Pejës – familjarët e të vrarëve duan emrin e të arrestuarit për krime lufte

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore