Shqipëria

Tritoli në banesën e gjyqtarit, KLGJ: Kërcënim serioz për gjithë shoqërinë


Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar pas sulmit që u bë me lënë plasëse në banesën e gjyqtarit, Tonin Sterkaj, në Shkodër.

KJGJ i cilësoi akte të tilla si cenim të rëndë të sigurisë së gjyqtarit dhe tha se përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë.

Këshilli e dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.

Ai ka shprehur mbështetjen ndaj të gjithëve gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve.

Kjo pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës.

Çfarë ndodhi

Sipas informacioneve paraprake një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit në banesën që i përket gjyqtarit, Tonin Sterkaj.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:13.

Nga raportimet e para mësohet se nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

“Rreth orës 03:13, në lagjen ‘Tom Kola’, Shkodër, tek porta e oborrit të banesës së shtetasit T. S., 62 vjeç, është hedhur lëndë plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, ishte njoftimi zyrtar i Policisë.

Këta të fundit thonë se po vijojnë kontrollin në zonë, por se ende nuk dihet shkaqet e vendosjes së lëndës plasëse.

Ndërkohë grupi hetimor po vijon veprimet në vendngjarje për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Sterkaj është gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore