Përballje

Rikthehen ndeshjet evropiane për kualifikimet e Kupës së Botës


Pas pushimit prej dy ditësh, rikthehen ndeshjet e dyta evropiane të muajit tetor, në kuadër të kualifikimeve të Kupës së Botës, “Katar 2022”.

Një prej takimeve më interesante pietet të jetë ai mes Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë, ndeshje kjo e vlefshme e Grupit J.

Ky duel pritet të jetë interesant, për faktin se në ndeshjen e parë mes këtyre dy skuadrave të zhvilluar në Gjermani, ishin maqedonasit që bënë surprizën duke fituar me rezultat 1:2.

Sa i përket renditjes tabelare, Gjermania thuajse e ka të siguruar vendin e parë në grup, pasi që ka grumbulluar 18 pikë, ku përveç asasaj humbjes ndaj kundërshtarit të sotshëm, i ka fituar të gjitha takimet.

Në anën tjetër, Maqedonia e Veriut pozicionohet në vendin e dytë në tabelë, me 12 pikë të grumbulluara, aq sa ka edhe Armenia e vendit të tretë, kurse pas tyre vjen Rumania me dy pikë më pak.

Dhe, pikërisht ndjekësit e Maqedonisë së Veriut, Rumania dhe Armenia do të ballafaqohen në ndeshjen tjetër të këtij grupi.

Të dy kombëtaret do të kërkojnë fitoren në këtë ndeshje, pasi që tri pikët do t’i afronin më shumë me ndeshjet e play off-it të Kampionatit Botëror.

Mirëpo, ndoshta më të lehtë rrugën për vendin e dytë e ka Rumania, pasi që në dy ndeshjet e radhës do të përballet me dy vendet e fundit në grup, Islandën dhe Liechtenstein.

Takime interesante priten të zhvillohen edhe në Grupin H, aty ku Kroacia dhe Rusia po luftojnë për vendin e parë, të cilat kanë nga 16 pikë.

Rusët do të presin në shtëpi Slloveninë e vendit të tretë, që kanë 10 pikë, ndërsa Kroacia do të përballet në shtëpi me Sllovakinë, që mban vendin e katërt me nëntë pikë.

Edhe në Grupin G, situata është shumë interesante, aty ku tri kombëtare janë duke luftuar për vendin e parë në tabelë.

Momentalisht lider i këtij grupi është Holanda me 16 pikë, të cilët sonte do të kenë një takim shumë të lehtë në letër, ku do të presin autsajderat e Gjibraltarit.

Pas tyre vjen Norvegjia me 14 pikë, të cilët do të kenë një ndeshje të vështirë me vendin e katërt Malin e Zi, që kanë grumbulluar 11 pikë.

Kurse, Turqia që pozicionohet e treta me 12 pikë, do të luajë në udhëtim te Letonia.

Grupit E, momentalisht i prinë Belgjika të cilët kanë grumbulluar 16 pikë, por nuk do të luajnë këtë të marte për shkak të impenjimit në Ligën e Kombeve.

Vendin e dytë në këtë grup e mban Republika Çeke me tetë pikë të mbledhura, të cilët do të përballen në udhëtim te Bjellorusia e vendit të fundit.

Ndërsa vendi i tretë Uellsi, gjithashtu do të përballet në udhëtim te skuadra e Estonisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore