Përballje

Përfundon ndeshja, Kosova merr barazim ndaj Zvicrës në kohën shtesë


2:2 ka përfunduar ndeshja në mes të Kosovës dhe Zvicrës.

Në stadiumin “Fadil Vokrri”, Dardanët dhe Helvetikët u ndanë në “paqe”.

Për Kosovën ka shënuar dy herë qendërsulmuesi Vedat Muriqi.

Më mirë ndeshjen do ta nisnin zviceranët, të cilët rrezikuan me Edimilson Fernandes dhe Xherdan Shaqirin, por në të dyja rastet nuk pati konkretizim.

Epërsinë minimale, Zvicra do ta merrte në minutën e 14-të, kur mesfushori i Bologna-s Remo Freuler shënoi pas asistimit të Edimilson Fernandes.

Pas golit të pranuar, Kosova lëshoi një rast ideal në minutën e 16-të.

Milot Rashica arriti të kalonte gjithë mbrojtjen e Zvicrës, madje edhe portierin, por topi i goditur nga Bernard Berisha nuk përfundoi në rrjetë, edhe pse porta në ato momente ishte e zbrazët.

Menjëherë pas Rashicës, në minutën e 18-të, Dardanët rrezikuan përmes qendërsulmuesit, Vedat Muriqi, goditjen e të cilit portieri helvetik, Yann Sommer, e ndali.

0:1 në favor të mysafirëve do të përmbyllej pjesa e parë e ndeshjes.

Fillimi i pjesë së dytë për të dyja ekipet  nisi me kujdes të shtuar.

Goli i barazimit për Kosovën do të vinte në minutën e 65-të.

Vedat Muriqi, pas një asistimi nga Milot Rashica, arriti që të shënonte me kokë.

Pas disa tentimeve, si ajo në minutën e 75-të nga Fabian Schar, gjuajtja e të cilit përfundoi jashtë, Zvicra arriti që në minutën e 79-të të kaloi përsëri në avantazh.

Asistimi i Ricardo Rodriguez tek Remo Freuler, gjuajta e të cilit  u devijua nga Amir Rrahmani, bëri që topi të përfundoi në rrjetë, çka çoi rezultatin në 1:2.

Përkundër golit të pësuar, Kosova nuk u dorëzua dhe insistoi deri në fund të ndeshjes.

Insistim i vazhdueshëm bëri që në minutën e katërt shtesë, Vedat Muriqi, ta barazonte rezultatin në 2:2.

Dardanët i pritën Helvetikët në kuadër të takimit të Grupit I, të vlefshme për kualifikimet për Kampionatin Evropian të vitit 2024.

Ekipi i Primoz Gliha, pas pesë ndeshjeve të zhvilluara, ende ëshët pa fitore.

Deri më tani, Kosova ka arritur katër barazime dhe një humbje.

Në grupin I, Zvicra mbetet liderë me plotë 11 pikë, derisa Kosova renditet e pesta me vëtëm katër pikë të grumbulluara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore