Përballje

“Kam punuar shumë gjithë jetën për të arritur këtu”, Marku sonte përballet me Kongon


Këtë të diele në ora 21:30 në “O2 Arena” të Londrës, boksieri shqiptar Florian Marku do të rikthehet në ring për t’u ballafaquar me Chris Kongo për titullin IBO intercontinental.

“Kam punuar shumë gjithë jetën për të arritur këtu. Janë duke u bërë ëndrrat e mia realitet me punë dhe përkushtim pa fund”, shkroi në Facebook të shtunën Marku.

“Kjo është një ndeshje e madhe në një arenë të madhe ku do jenë afërsisht 28.000 veta, por si gjithmonë ju e dini qe do jap shpirtin si gjithmonë për fitoren e radhës”, shtoi ai.

Ndryshe, Marku në boksin profesionist ka 13 fitore, prej tyre tetë me “nokaut” dhe një barazim. Ndërsa, Chris Kongo ka 14 fitore e dy humbje në boksin profesionist.

Armiqësia mes dyshes shpërtheu fillimisht me një grindje në një konferencë shtypi vitin e kaluar, por edhe gjatë matjeve zyrtare ka pasur tension e konfrontime mes dy boksierëve.

“Do të përfundojë rivaliteti të dielën, kur unë ta mposhti atë dhe ta largoj nga jeta ime”, tha Marku, raporton “Sky Sports”.

Marku synon që të vazhdojë karrierën në SHBA pas kësaj përballje. Ai e përmend edhe një emër si rival të mundshëm, ish-kampionin Adrien Broner.

“Do të më pëlqente të shkoja atje dhe të luftoja me Adrien Bronerin. Nuk më pëlqen ai. Duket shumë budalla dhe bën shumë zhurëm. Më pëlqen rasti që t’ia mbylli gojën, pasi ta heshti këtë rivalin që kam tash. Do të ishte meç fenomenal për mua që ta prezantojë veten te tifozët amerikanë”, ka potencuar Marku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore