Zgjedhjet në Shqipëri

Rama: Meta president i papërmbajtshëm, ftesa për Bashën qëndron


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbrëmjen e 21 prillit, në emisionin Real Story, ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj presidentit të Shqipërisë.

“Ilir Meta është i papërmbajtur. Shfaqet si një gogol që kërkon të nxijë një proces të festës demokratike, pavarësisht përplasjes së palëve”.

Rama është treguar sërish i hapur ndaj bashkëpunimit me kryetarin e Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha.

“I qëndroj ftesës ndaj liderit demokrat. Politika shqiptare të tejkalojë njëherë e mirë vetveten”, shprehet ai, ndërsa e ka cilësuar si të “përmbajtur”.

Rama për Elbasanin: Imagjinoni të ndodhte në kahe të kundërta

Kryeministri ka komentuar dhe ngjarjen e rëndë që tronditi jo vetëm Elbasanin, por edhe Shqipërinë: vrasja e ish-kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Pjerin Xhuvanit.

Ai ka thënë se “nuk kemi dalë në fushatë që të plagosen njerëz. Nuk kemi dalë me mesazhin që vajzat dhe djemtë e këtij vendi, mund të humbin jetën”.

Për akuzat, që opozita dhe presidenti  kanë bërë ditën e mërkurë, kryeministri u kërkoi qytetarëve të mendojnë “sikur kjo ngjarje të ndodhte në kahe të kundërta”.

“Imagjinoni nga fugoni të hapej zjarr e të vritej dikush. E nga aty të dilte Balla të mbante fjalim, të akuzonte dhe të ikte”, është shprehur ai.

Gjithashtu, Rama është ndalur edhe tek akuzat që sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, ka bërë ditën e mërkurë, nga Elbasani.

“Përjashto halucinacionin e Gazmend Bardhit, që ka përgjegjësi të madhe për fjalët që nxori dhe gjestin makabër që bëri, duke mbajtur fjalime dy metra nga xhenazja”, tha ai.

Mesditën e 21 prillit, një ngjarje e rëndë ka tronditur Elbasanin ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani, ish-kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) në atë qytet, dhe u plagosën katër shtetas.

Shqipëria dhe Diplomacia

I pyetur rreth karantinës dyjavore, që ka vendosur Komiteti Teknik i Ekpertëve, ditën e hënë të 19 prillit, për qytetarët që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, kryeministri ka prekur dhe vendosjen e kufirit me Kosovën, gjatë fillimit të vitit 2020.

“Kam një ndërhyrje të prerë nga lart, qysh ditën e parë. Nuk duhet të ndodhë asnjëherë që Kosovën ta shikoni si një shtet tjetër”.

Ndër të tjera, ai ka reaguar dhe ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Kryeministri është shprehur se “Vuçiç është shumë i mërzitur me Aeroportin e Kukësit”, që sipas Ramës, është kthyer në “Muzeumin e spastrimit etnik dhe të luftës çlirimtare të Kosovës”.

Ndërsa marrëdhënien me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, e ka cilësuar me superlativa.

“Unë me Mitsotakisin kemi raporte fantastike, jo problematike”, tha ai.

“Patronazhistët”

Çështja e patronazhistëve ka qenë gjithashtu pjesë e intervistës, për të cilën kryeministri është shprehur se, ata që kanë publikuar të dhënat “kanë shkelur ligjin”, dhe “kanë manipuluar database-in”.

“Në atë database, nuk është database që kemi ne. Është krijuar me dorë. Kjo është arsyeja pse nuk ua dërgojnë organeve të Policisë”, deklaron Rama duke qartësuar se “në database-in tonë nuk përdorim numër kartash identiteti”.

Në përfundim, ai tha,“çfarë është nxjerrë në publik, është ai krim që kërkohet të na vishet ne”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore