Zgjedhjet në Shqipëri

PD do ta çojë çështjen e 25 prillit edhe në gjykata ndërkombëtare


Partia Demokratike është e vendosur që ta çojë kërkesën e saj për “përjashtimin e shtatë(nga tetë) gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor” edhe në gjykata ndërkombëtare.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu ka thënë për Albanian Post se çështjet që lidhen me zgjedhjet e 25 prillit do ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre në çdo front.

Logu theksoi se janë duke e konsultuar këtë çështje me ekspertet më të mirë të së drejtës ndërkombëtare për ta faktuar atë që e konsiderojnë “masakër zgjedhore”.

“Do të përdorim çdo mjet dhe mundësi që ekziston përfshirë Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve, Kolegjin Zgjedhor dhe instanca të tjera siç janë Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Strasburgut, apo gjykata të tjera ndërkombëtare”, nënvizon ai.

Më tutje, përfaqësuesi ligjor i PD-së thotë se pas seancës në të cilën është vendosur për mospranimin e dëshmive të tyre për zgjedhjet në Berat, kanë krijuar bindjen që gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor “nuk mund ta garantojnë të drejtën e çdo partie dhe secilit qytetar për proces zgjedhor të rregullt dhe të paanshëm”.

“Duke qenë se shtatë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor kishin marrë vendime, qofte me kërkesën e marrjes së provave, ashtu edhe me vendimet përfundimtare për qarqet, është e qartë tashmë se këta gjyqtarë kanë paragjykuar apo shfaqur mendim lidhur me çështjet që do të jenë në vendim”, sqaron ai.

Logu thekson se baza ligjore e kërkesave tyre janë nenet 151 dhe 156 të Kodit Zgjedhor dhe nenet 72 dhe 74 të Kodit të Procedurës Civile, që parashikojnë së bashku të drejtën që ka çdo palë, përkatësisht një parti politike për të kërkuar përjashtim të një apo disa anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor.

“Ajo që ka ndodhur sot në fakt është një rast i paprecedent, unik, që nuk e ka hasur ndonjëherë në Shqipëri apo në vend tjetër demokratik. Sot gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor vendosën vetë ata a duhet të përjashtoheshin nga paditë e Partisë Demokratike. Aleancës për Ndryshim i është mohuar e drejta për një gjykim të drejtë”.

Rrëzohet kërkesa e PD-së për gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e shtatë prej tetë gjyqtarëve të po këtij kolegji.

Sipas Kolegjit pretendimet që lidheshin me cenimin e “së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, mbi të cilat kërkohej marrja e një mase të tillë ishin të pabazuara.

Të hënën, PD kërkoi përjashtimin e shtatë prej tetë gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, që kanë rrëzuar paditë për proceset zgjedhore në Gjirokastër, Vlorë dhe Berat.

Sipas demokratëve, “me vendimet e dhëna deri tani, këta gjyqtarë, njësoj si komisionerët politikë të KAS, refuzojnë transparencën mbi masakrën zgjedhore të 25 prillit”.

Në kërkesën e tyre thuhet se gjyqtarët veprojnë me paanësi lidhur me gjashtë paditë e PD-së.

Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën për Qarkun e Tiranës

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike, të martën e 8 qershorit, për marrjen e provave shtesë nga institucionet për zgjedhjet e 25 prillit në qarkun e Tiranës.

Rrëzimi është bërë me arsyetimin se është e pambështetur në ligj dhe prova.

Më herët, Kolegji ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për paraqitjen e provave shtesë për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në qarkun e Beratit, Gjirokastrës dhe Vlorës.

Rrëzimi i kërkesës për Qarkun e Beratit

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar  më 4 qershor kërkesën e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për paraqitjen e provave shtesë për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në qarkun e Beratit.

LSI-ja pretendonte mandatin e saj të parë në Berat pasi diferenca me Partinë Socialiste ishte 77 vota.

Pse u ankimua Berati?

Rezultati i Qarkut Berat në zgjedhjet e 25 prillit ka qenë shumë i ngushtë. Pak vota në kutitë e fundit i dhanë PS-së mandatin e pestë, duke lënë jashtë ulëseve të Kuvendit LSI-në.

Këta të fundit, në zgjedhjet e vitit 2017, kishin marrë dy mandate kundrejt katër të socialistëve dhe një të demokratëve.

Në zgjedhjet e reja, LSI-ja mbeti tërësisht jashtë Parlamenti në këtë qark – bastion të socialistëve të qendrës, në të cilin është lindur edhe kreu historik i tyre, Presidenti aktual i Shqipërisë, Ilir Meta.

Nga LSI-ja u hodhën akuza për manipulim të votave në këtë qark, me qëllim djegien e qëllimshme të mandatit të tyre.

Pikërisht për këtë fakt, ata e ankimuan në KAS dhe Kolegjin Zgjedhor qarkun.

Gjithashtu më herët Kolegji ka rrëzuar kërkesën e PD-së për qarkun Vlorë dhe Gjirokastër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore