Shqipëria

Vrasja e Xhuvanit nga anëtari i strukturës së PD-së, vijojnë hetimet


Një ngjarje e rëndë ka tronditur Elbasanin mesditën e 21 prillit, ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani, ish-kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim në atë qytet dhe u plagosën katër shtetas.

Burime për Albanian Post mësuan se vrasësi është ish-punonjësi i forcave RENEA, Arbër Paplekaj.

Autori u dorëzua pak çaste pas ngjarjes dhe në deklarimin për policinë është shprehur se ka sulmuar për t’u mbrojtur.

Paplekaj është shoqërues i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në Elbasan dhe pjesë e shtabit të PD-së.

Policia ka shoqëruar në komisariat mbi 20 persona të përfshirë në krim, dhe janë marrë në pyetje Bardhi dhe Luçiano Boçi, kandidatë të PD-së në Elbasan.

Sipas deklaratës zyrtare të policisë, katër shtetasit e plagosur janë: Emiljan Prenga 39 vjeç, Pavlo Vuksani 50 vjeç, Eltjon Bodinaku 32 vjeç dhe Xhensila Sota 27 vjeçe.

Personat e plagosur ishin të shtruar në Spitalin e Elbasanit, por tanimë dy prej tyre janë transferuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Pavlo Vuksani dhe Emiljano Prenga janë pjesë e shtabit të Partisë Demokratike dhe Vuksani ka qenë ish-efektiv policie i larguar në vitin 2013.

Policia, ndërkohë ka shpallur në kërkim Kelmend Xhaferrin.

Në pamjet pas vrasjes, duken qytetarët e panikuar, të cilët vrapojnë.

Bëhet me dije se vijon puna për kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.

Në qytet janë të pranishëm ekspertë të krimeve të rënda dhe hetimit i janë bashkëngjitur dy prokurorë.

Njëri prej prokurorëve, Ritvan Sukaj, ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes, ku është rikthyer edhe gjatë orëve të natës.

Pavarësisht kësaj, akoma nuk dihet se cila palë ka nisur sulmin e para.

Gjithashtu, në përpjekje për të parandaluar krimin është plagosur edhe punonjësja e policisë e forcës së posaçme “Shqiponjat”, Xhensila Sota, e cila ka marrë një plumb në këmbë.

Efektivja e plagosur, Xhensila Sota

Nuk kanë munguar as reagimet nga palët e ndryshme politike dhe institucionet zyrtare.

Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat, shprehet se nuk ka shumë informacion.

Reagimi i Gazment Bardhit

 

“Nuk kam shumë informacion. Makina që shikoni atje është e mbushur me karta identiteti dhe para, e drejtuar nga një prej eksponentëve të krimit të organizuar. Është personi që është akuzuar Ditën e Verës”, thotë Bardhi për mediat.

Nga ana tjetër, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla, pas vizitës në spital te efektivja e forcave “Shqiponja”,  i bëri thirrje Berishës e Metës, që të mos përshkallëzojnë dhunën.

“Kjo e sotmja është vetëm një përshkallëzim ekstrem i atij dëshpërimi të madh, që materializohet çdo ditë në shpifjen e përsëritur se Partia Socialiste po i bën të tëra të zezat, të cilat në fakt janë ata që i mendojnë, por edhe i bëjnë sa munden, si munden, ku munden”, tha Balla për gazetarët.

Nga Elbasani, kandidatja e Nismës Thurje në këtë qark, Rudina Hajdari, e ka cilësuar ngjarjen politike.

“Këta janë në gjendje të vrasin njerëz për vota dhe 2-3 mandate”, tha ajo në deklaratën për mediat.

Kush ishte Pjerin Xhuvani?

Ai ka qenë drejtues në Elbasan me PDK-në e Nard Ndokës, disa vite më parë drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të cilën ka kandiduar si deputet.

Xhuvani më pas u angazhua me PDIU-në dhe mësohet se kohët e fundit ishte tërhequr nga politika.

Opozita e ka akuzuar si të lidhur me Partinë Socialiste, dhe të përfshirë në sherrin e Ditës së Verës mes anëtarëve të PD-së dhe PS-së.

Ai ka qenë drejtor në Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Pikërisht në këtë periudhë, ai u arrestua për korrupsion dhe u dënua me 3 vite burg.

Dënimi u konvertua me shërbim prove.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore