Shqipëria

SPAK përfundon hetimet për ish-përgjegjësit e IKMT Sarandë, dërgon çështjen në GJKKO


Prokuroria e Posaçme SPAK ka përfunduar hetimet paraprake ndaj ish-përgjegjësve të IKMT Sarandë dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme GJKKO kërkesën për gjykim.

Bëhet fjalë për të pandehurit:

-Julian Preni, i hetuar me masë sigurimi personal “arrest në burg”, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal;

-Arjel Balani, i hetuar me masë sigurimi personal “arrest në burg”, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal;

-Foti Doda, i hetuar në gjendje të lirë, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.

Nga tërësia e akteve dhe e provave të administruara gjatë hetimit, ku përfshihen deklarimet e personave që kanë dijeni për ngjarjen, deklarimet e personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime, sekuestrimet e CD-ve me materialet audio, sekuestrimet e telefonave të të pandehurve dhe transkriptimet e materialeve audio, dokumentacionit të administruar nga IKMT-ja, provohet tej dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova se:

Shtetasit Sofia Doda dhe Foti Doda, janë përballur me një situatë problematike për pajisjen me leje për shfrytëzimin e plazhit në Ksamil, ku vite më parë kishin ndërtuar një objekt.

I pandehuri Arjel Balani duke qenë punonjës në Zyrën e Urbanistikës Bashkinë Sarandë, ka ndërvepruar me të pandehurin Foti Doda, duke i kërkuar shumën monetare prej 12 mijë euro, për të ushtruar ndikim të paligjshëm tek Agjencia Kombëtare e Bregdetit, me qëllim nxjerrjen lejes së shfrytëzimit të plazhit.

Në muajin korrik të vitit 2021, i pandehuri Arjel Balani, iu ka marrë këtyre shtetasve shumën prej 6 mijë euro, duke biseduar që pjesën tjetër do t’ia jepnin kur të nxirrej leja.

Por më vonë marrëveshja nuk është arritur të realizohej dhe i pandehuri Arjel Balani ia ka kthyer shumën monetare.

Po ashtu nga hetimi rezulton se shtetasit Foti Doda dhe Sofia Doda, kanë patur probleme edhe në lidhje me procedurën e ndjekur për prishjen e një objekti të ndërtuar në Ksamil, për të cilin kishin nisur procedurat e legalizimit. Gjatë inspektimeve të kryera nga IKMT-ja, në vitin 2019, subjekti “Foti Doda”, është proceduar me masë administrative “prishje e objektit”.

Në muajin mars të vitit 2020, i pandehuri Julian Preni, me detyrë në atë kohë -përgjegjës i IKMT-së, dega Sarandë, i ka kërkuar shtetasit Foti Doda, shumën monetare prej 7 mijë e 500 euro, për të mos i prishur objektin që kishte ndërtuar në plazh Ksamil, dhe pasi kanë negociuar Foti i ka dhënë Julianit, shumën prej 3 mijë euro.

Si rrjedhojë e këtij veprimi korruptiv shtetasit Foti Doda nuk i është prishur objekti në vitin 2020, edhe pse ka pasur vendim prishje nga IKMT-ja që prej muajit shtator të vitit 2019.

Nga dokumentacion i administruar nga IKMT, rezulton se objekti i shtetasit Foti Doda është prishur vetëm në datën 07.06.2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore