Shqipëria

Tensione sërish te Bashkia Tiranë, protestohet me molotov


Tensione të shumta e kanë shoqëruar një protestë të radhës përballë Bashkisë Tiranë, ku është kërkuar rishtazi dorëheqja e Erion Veliajit nga drejtimi i kryeqytetit.

Opozita, siç kishte paralajmëruar, ka zënë vend përpara hyrjes së Bashkisë dhe ka nisur fillimisht një tubim të qetë, ku retorika e vetme ishte ajo e akuzave për kompaninë 5D, e cila e hetuar nga SPAK ka dërguar disa drejtorë të Bashkisë në hetim.

Por, me kalimin e minutave, situata është tensionuar dhe pas frutave e vezëve të hedhura ndaj godinës së Bashkisë, vendi i është lënë molotovëve.

Kjo tashmë një gjë “normale” për protestat e opozitës, pasi edhe në dy tubime të tjera të shkuara, ka pasur sulme të tilla ndaj institucionit.

Në nisje të protestës, u mësua po ashtu se Policia pati ndaluar dy protestues, të cilët kishin në zotëm mjete piroteknike. Por, sa duket, nuk kanë mundur t’i ndalojnë të gjitha këto mjete.

Nga ana tjetër, sa i takon retorikës së përdorur, ishte ish-kandidati për kryetar të Bashkisë Tiranë nga radhët e opozitës, Belind Këlliçi, ai i cili foli për aksionin.

Këlliçi theksoi se aksioni opozitar nuk do të ndalet dhe se do të kërkohet audit ndërkombëtar i paanshëm, që qytetarët të ketë të dhënat për buxhetin e bashkisë së Tiranës.

“2-3 miliardë euro të menaxhuara nga Veliaj dhe qytetarët duhet të dinë se ku kanë shkuar taksat be tyre. Ata që fusin duart në xhepat e qytetarëve të Tiranës duhet të mbajnë përgjegjësi, pak rëndësi ka se kush janë ata”.

Nga ana tjetër, regjisori Edmond Budina, i angazhuar prej kohësh në protesta kundër Bashkisë Tiranë, ka kërkuar të ketë mosbindje civile.

“Jemi ne populli që vuajmë mbi kurriz ato që bëjnë këto mafiozë. Të mbyllen rrugët dhe të mbyllen dyqanet derisa këta të shporren, të ketë mosbindje civile derisa të largohen. Ne do përballemi siç jemi përballur në të gjithë këta vite. Kam thirrje edhe për vëllezërit tanë të policisë. Mos reagoni kundrejt qytetarëve, por mbroni të drejtën tuaj”, përmendi Budina në një fjalë përpara protestuesve.

Teksa, në tensionet dhe protestat e mëparshme, ka pasur edhe kërkesë për përmbajtje nga ndërkombëtarët, duke dënuar aktet e dhunës karshi institucioneve.

Ambasada e Italisë në Tiranë ka dënuar më parë aktet e dhunës të kryera gjatë protestës së zhvilluar para Bashkisë Tiranë.

“E drejta për t’u organizuar paqësisht e për të protestuar është thelbësore në një shoqëri demokratike, por dhuna ndaj objekteve apo personave nuk është aspak e justifikueshme”, shkruhet në një postim në platformën X – dikur Twitter.

Edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Ambasada Amerikane në vend kanë dënuar dhunën gjatë protestës së opozitës para bashkisë Tiranë.

“Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë”, thotë BE-ja.

Delegacioni thekson se akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore.

Gjithashtu, Ambasada e Shteteve të Bashkuara nënvizoi se e drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët.

“Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune”.

Ambasada përshëndeti zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore