Lajme

Osmani me fitore bindëse ndaj Taravarit: Diferenca mbi 35 mijë vota


Bujar Osmani

Kandidati i “Frontit Evropian”, për President të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, është fitues absolut me një diferencë prej rreth 35 mijë votave në raport me kundërkandidatin tjetër shqiptar nga radhët e koalicionit “VLEN”, Arben Taravari, në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit, derisa në kampin maqedonas fitore bindëse, por jo të mjaftueshme për t’u bërë presidente, ka korrur kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova.

Sipas rezultateve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Osmani është renditur i treti nga shtatë kandidatë gjithsejtë sa kanë qenë, duke fituar pothuajse në çdo vendbanim me shumicë shqiptare.

Me rreth 96 për qind të votave të numëruara, kandidati i “Frontit Evropian”, ka grumbulluar plotë 116 mijë e 319 vota, apo 13,38 për qind.

Ndërsa, kundërkandidati i tij shqiptar Taravari, ka marrë 81 mijë vota, apo 9,40 për qind.

Në konferencën për media ku shpalli fitoren, Osmani ka thënë se rezultati që e ka nxjerrë fitimtar është i përbashkët, dhe se “kjo fitore tregon se Fronti Evropian po ngritet në një lokomotivë për të ardhmen e vendit tonë”.

Ai ka uruar të gjithë qytetarët për këtë fitore, siç tha, “të madhe”, derisa ka falënderuar të gjithë ata që e kanë votuar.

“Kjo fitore e jona është fitore e jona e përbashkët. Kjo fitore tregon se Fronti Evropian po ngritet në një lokomotivë për të ardhmen e vendit tonë”, shtoi Osmani.

Në emër të “Frontit Evropian”, Osmani i dha fjalën qytetarëve se “vota e juaj sot është detyrim i ynë, është amaneti ynë, është besa jonë, ajo është shënuar dhe iu premtoj që do të jetë pjesë e të ardhmes së ndritur të vendit tonë”.

“Sot shqiptarët, turqit, romët treguan se ata vetëvendosin për fatin e tyre. Ne iu japim fjalën se askush, kurrën e kurrës nuk mund të vendos në emrin e tyre. Vullneti është i qartë dhe duhet të respektohet nga të gjithë”, shtoi.

Osmani po ashtu ka pasur një mesazh edhe për kundërkandidatin shqiptar nga radhët e koalicionit “VLEN”, Arben Taravari, duke e ftuar që ta pranojë humbjen.

“Patëm një fushatë të ndershme dhe fer, që me dinjitet të pranohet humbja dhe po ashtu edhe fitorja. Vullneti i popullit është ai që përcakton karrierat tona. Duhet ta pranojmë këtë vullnet, por edhe mesazhet që i dërguan”, potencoi.

Nga ana tjetër, në emër të koalicionit “VLEN”, para mediave nuk foli Taravari, por një tjetër lider i koalicionit, Bilall Kasami, kreu i Lëvizjes Besa, njëherit kryetar i Tetovës.

Ai ka akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim – bartësen e koalicionit të “Frontit Evropian” – për blerje të votave.

“Si fillimi dua të theksoj se ne jemi fitues të votës shqiptare. BDI-ja ka blerë vota e komuniteteve dhe të rrezikuara shoqërore. VLEN është përfaqësuesi i vetëm legjitim i shqiptarëve në këto zgjedhje dhe në qeverinë e ardhshme”, ka thënë Taravari para mediave.

BDI, sipas Kasamit, “edhe me këto rezultate nuk nxjerr deputetë shqiptarë”.

“BDI me këto sjellje humbi legjitimitetin që të flasë në emër të shqiptarëve”, shtoi.

Prandaj, theksoi ai, “në zgjedhjet e 8 majit, ne do të fitojmë. Do ta përmbysim me mjete demokratik rezultatit që sot BDI e mori me vota kriminale”.

Sa i përket kampit maqedonas, fituese me 40,23 për qind, apo 349.746 vota është Gordana Siljanovska Davkova, kandidatja e partisë nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE-së.

Ajo ndiqet nga presidenti aktual Stevo Pendarovski, i cili ka grumbulluar 173 mijë e 612 vota, apo 19.97 për qind.

Duke qenë se asnjë kandidatë nuk ka marrë më shumë se 50 për qind, atëherë për president të Maqedonisë së Veriut do të ketë edhe një raund tjetër të zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahet më 8 maj, së bashku me ato parlamentare.

Gara në balotazh do të zhvillohet mes Siljanovska Davkova të VMRO-DPMNE-së dhe Pendarovski të LSDM-së.

Pos këtyre në garë kanë qenë edhe tre kandidatë të tjerë maqedonas.

Maksim Dimitrievski, i cili ka fituar 76 mijë e 894 vota, apo 8,85 për qind, kandidatja e “Levicës”, Biljana Vankovska Cvetkovska, që ka grumbulluar 39 mijë e 660 vota, thënë ndryshe 4,56 për qind, apo 4,4 për qind, dhe Stevco Jakimovski me vetëm 7.898, apo 0,91 për qind.

Në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit në Maqedoni të Veriut, të drejtë vote kishin mbi 1 milion qytetarë, ndërsa të drejtën e tyre e shfrytëzuan 828 mijë e 402, apo 48,38 për qind.

Këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale të këtij shteti, që nga pavarësimi i tij nga Republika Federale e Jugosllavisë, në vitin 1991.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore