Shqipëria

Qeveria po e trajton si armike shtresën e mesme, sipas Bashës


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mendon se Qeveria shqiptare po e trajton shtresën e mesme të popullatës si një armike, duke iu referuar taksimit të vendosur ndaj profesioneve të lira së fundmi.

Gjatë një takimi me mbështetës të forcës politike të djathtë në Tiranë, Basha ka përcaktuar se është e kotë që Qeveria të mburret me shifra rekord prej 10 milionë turistësh, kur në realitet shqiptarët po vendosin të emigrojnë jashtë.

“Këta mburren se kanë hyrë 10 milionë turistë vitin e kaluar në Shqipëri, është një gënjeshtër sigurisht, siç u detyrua ta pranonte para disa ditësh nën rreshta. Mbi 60% e tyre janë shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe vijnë të vizitojnë familjet e tyre, apo shqiptarë të Kosovës, apo të Maqedonisë së Veriut, apo të Malit të Zi apo të Greqisë, e kudo tjetër”, pretendoi kreu i demokratëve.

Teksa, pjesa tjetër sipas tij, janë turistë me shpenzime të ulëta.

Kjo, pasi në fjalët e Bashës, turizmi shqiptar nuk është në gjendje të mbajë në këmbë veten e vet dhe jo më të krijojë një zinxhir vlerash i cili normalisht duhej të dyfishonte e të trefishonte volumin e prodhimit bujqësor.

“Duhej të zgjidhte një herë e përgjithmonë mirëqenien e fermerit shqiptar”, përforcoi ai. “Fermeri shqiptar duhej të ishte një kotributor neto i ekonomisë shqiptare dhe jo një mbijetues i cili e ka kokën nga mëshira e shtetit që nuk vjen”.

Mirëpo, sipas tij, ndodh e kundërta, pasi fermerët po ndëshkohen me gjoba dhe prodhimet e tyre nuk shiten, por hidhen.

E njëjta ndërkaq, për Bashën, ndodh edhe me profesionet e lira.

“Është i vetmi vend që shtresën e mesme e trajton si armik, sepse qeveria ka frikë çdo faktorë dhe çdo aktor që mendon me kokën e vet që është në gjendje të shpreh mendimin e vet dhe jo t’i nënshtrohet pushtetit dhe mjerimit intelektual dhe politik të tij”, vijon ai.

Kjo është edhe arsyeja pse janë rritur taksat për shtresën e mesme sipas liderit demokrat, duke përmendur stimulimin për të larguar shqiptarët nga vendi.

“Pensionet e pensionistëve shqiptarë nuk mjaftojnë as për javën e parë të muajit pa mbështetjen e familjarëve të tyre, kryesisht atyre që jetojnë jashtë vendit”, përmbylli Basha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore