Zgjedhjet në Shqipëri

“Me KQZ të politizuar, nuk ka ndryshim në zgjedhje”


Kristaq Kume, ish-kreu i KQZ-së

Komisioni Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka vulosur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri, ku Partia Socialiste rezulton fituese me 74 mandate.

Ky vendim u mor të martën e 13 korrikut me tre vota pro dhe dy kundër.

Mirëpo, për ish-kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, ndryshimet nuk kanë sjellë rezultatet e pritshme në mirë-administrimin e procesit zgjedhor.

Ai ka thënë se parimi i zgjedhjes së anëtarëve nuk ka ndryshuar.

Më tej, Kume shpjegon se KQZ-ja nga një institucion kolegjial – me shtatë anëtarë, të cilët emëroheshin sipas parimit të përfaqësimit politik – kaloi në një institucion me një komponent, që është Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe dy komisione kolegjiale (Rregullatori dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve).

“Të dy këto komisione, duke u ndërtuar në bazë të përfaqësimit politik, në administrimin e zgjedhjeve nuk sollën asgjë të re, ndryshe nga ajo që ka bërë më parë KQZ-ja”, vazhdon ai.

Roli i Kodit Zgjedhor në Zgjedhjet Parlamentare 2021

Sipas ish-kryetarit të Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, problematikë në funksionimin e institucionit është zgjedhja që bëhet për anëtarët.

“Anëtarët e KQZ-së, sipas kodit zgjedhor aktual, nuk zgjidhen bazuar në preferenca të partive, por zgjidhen si rezultat i një gare që bëhet midis kandidatëve të ndryshëm që aplikojnë”.

Për zgjedhjet e 2021-ës, sipas ekspertit, nuk ka vepruar në bazë të këtyre dispozita të kodit sepse partitë politike ranë dakord që në kod zgjedhor të përfshihen dispozita kalimtare.

“Këto dispozita kalimtare patën këtë efekt, zgjedhjen e anëtarëve në bazë të partive politike, madje në forume të caktuar sa nga njëra, sa nga tjetra”.

Shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve bëhet me shumicë të thjeshtë.

“Kjo është një zgjidhje, e cila partitë politike PD, PS, LSI ranë dakord që të vendosin në këtë mënyrë për të parandaluar efektet që mund të sillte vendimi me shumicë të cilësuar”.

Në historinë e Shqipërisë, bën me dije Kume ka pasur raste që është marrë vendim unanim lidhur me certifikimin e tyre, ku shtatë anëtarët kanë rënë dakord për shpalljen e rezultatit.

“Rezultati përfundimtar më parë ka qenë një ndër vendimet që nuk mund të merrej me shumicë të thjeshtë, pra duheshin katër nga shtatë anëtarët”.

Si përfundim, eksperti thotë se reforma e fundit zgjedhore nuk solli efektet e pritura në mirë administrimin e procesit zgjedhor në KQZ.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore