Shqipëria

Komiteti i Ekspertëve: Karantinë 2-javore për ata që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut


Kjo fillim jave vjen me masa lehtësuese sa i përket Covid-19. Të hënën e 19 prillit, Komiteti Teknik i Ekspertëve zhvilloi një konferencë për shtyp, ku u njoftuan masat e reja.

Komiteti ka vendosur një karantinë dyjavore, për të gjithë personat që do të udhëtojnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut drejt Shqipërisë.

Duke nisur që nga 20 prilli, kjo masë do të hyjë në fuqi dhe do të zgjasë deri më 3 maj 2021.

“Duke filluar nga dita e nesërme do të vendoset qëndrimi në karantinë 2-javore për personat, që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, deri më datën 3 maj të këtij viti”, deklaroi fillimisht kryetarja e Komitetit Teknik, Mira Rakacolli.

Në vijim, ajo foli edhe për zhvillimin e mësimit. Tashmë, sipas saj, “nxënësit e viteve të para dhe të dyta, të cilët kanë qenë në mësim online, mund të fillojnë edhe mësimin në klasa”.

Gjatë konferencës foli edhe anëtarja e Komitetit të Ekspertëve, Albana Fico, e cila bëri me dije se “mesatarja javore e rasteve pozitivë ka zbritur nga 172 në 138”.

Gjithashtu, ajo foli edhe për numrin e rasteve aktive me Covid-19, që është 25 mijë e 668.

“Spitalet Covid-3 dhe Covid-4 nuk kanë pacientë për momentin, por janë në gatishmëri të plotë. Një indeks tjetër është edhe ulja e vdekshmërisë, e cila nga 50 ka shkuar në 25”, informoi Fico.

Komiteti njoftoi se, tre qarqet me numrin më të lartë të rasteve, janë: Gjirokastra, Korça dhe Berati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore