Boterori 2022

Punëtori emigrant humb jetën në qendrën stërvitore, shefi i Katar 2022: Vdekja është pjesë e jetës


Kupa e Botës është duke u zhvilluar, madje ka hyrë në fazën finale, derisa kritikat për vendin e Katarit nuk kanë të ndalur.

Ato janë ndezur edhe më shumë së fundmi, teksa është bërë e ditur se një punëtor emigrant ka humbur jetën në qendrën stërvitore të kompleksit ku qëndronte kombëtarja e Arabisë Saudite.

Rrethanat që shkaktuan vdekjen nuk janë bërë ende të qarta, por është kritikuar reagimi pa shumë ndjenjë faji i drejtorit të Kupës së Botës në Katar, Nasser Al Khater i cili u shpreh se vdekja është diçka natyrale në jetë.

“Vdekja është diçka natyrale në jetë, si në rastin kur ndodh në punë, apo si kur ndodh në gjumë. Na vjen keq se një punëtor humbi jetën, ngushëllime familjes”, shprehet Al Khater për vdekjen e punëtorit emigrant.

Në lidhje me këtë rast, reagoi edhe FIFA e cila shpreh keqardhje për tragjedinë.

“FIFA është thellësisht e trishtuar nga kjo tragjedi dhe mendimet tona shkojnë për familjen e punëtorit që humbi jetën. Sapo FIFA mësoi për incidentin, kontaktuam autoritetet përkatëse për t’u njohur me detajet”.

“FIFA do të mbajë një qëndrim më të gjatë në momentin që ngjarja do të sqarohet plotësisht”, thuhet në reagimin e FIFA-s.

Kujtojmë që zhvillimi i Kupës së Botës në Katar u kritikua shumë, pasi që gjatë ndërtimit të infrastrukturës atje (stadiumet, airoportet, hotelet, rrugët, etj), kishin humbur jetën shumë emigrantë që kishin shkuar për të punuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore