Lajme

Podolyak e quan Putinin hipokrit: Ikni nga territori ynë, pastaj flasim për armëpushim


Mykhailo Podolyak, këshilltari kryesor i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka quajtur një “hipokrizi” propozimin e Rusisë gjatë Krishtlindjes, për të pasur një armëpushim të përkohshëm dhe dialog, gjë e cila është përsëritur edhe sot nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Sipas Podolyak, kushtet janë të tilla ku njëra palë, nuk ndodhet në territor të huaj dhe nuk po vret civilë, por po mbrohet nga një agresor.

Ndërsa, pala tjetër, duke nënkuptuar Rusinë, po bën pikërisht këtë gjë.

Ndaj, nuk mund të flitet në kushtet e tanishme për negociata, tryeza dialogu apo armëpushime.

“Ukraina po shkatërron vetëm anëtarët e ushtrisë okupatore”, ka theksuar këshilltari i Zelenskyt përmes një postimi në Twitter.

Mbi të gjitha, ai ka nënvizuar faktin se e vetmja mënyrë se si mund të ketë negociata, është nëse Rusia heq dorë përfundimisht nga mësymja në territorin ukrainas dhe largohet menjëherë përtej kufirit.

“Mbajeni hipokrizinë për veten tuaj”, i është drejtuar ai sërish kreut të Kremlinit, duke i vendosur qartë piketat se ku Ukraina ndalet për të pasur armëpushime të mundshme.

Putin nga ana tjetër, e ka ritheksuar dëshirën për bisedime me Kievin gjatë një bisede telefonike me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Presidenti Erdogan tha se thirrjet për paqe dhe negociata duhet të mbështeten nga një armëpushim i njëanshëm dhe një vizion për zgjidhje të drejt”, tha zyra e Erdoganit, teksa njoftuan më 5 dhjetor se dy liderët kanë zhvilluar një bisedë telefonike.

Po ashtu presidenti turk pritet të zhvillojë një bisedë telefonike gjatë të enjtes edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Putin: Gati për dialog nëse Kievi njeh territoret e aneksuara

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore