Kosova

Çitaku: Kuvendi duhet të shpërndahet gjatë muajit maj – të hapet rruga për zgjedhjeve të parakohshme


Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se Kuvendi duhet të shpërndahet gjatë këtij muaji, në mënyrë që të hapet rruga për zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Sigurisht, modeli jonë i preferuar ka qenë dorëheqja apo shkarkimi, mirëpo meqenëse votat na mungojnë për një procedurë të tillë, ne jemi në opsionin të dytë për shpërndarjen e Kuvendit. Ne nuk e kemi monopolin për këtë proces, por ne duam të bashkëpunojmë me parti të tjera opozitare”, tha Çitaku në një intervistë për Kosovapress.

Sipas saj, PDK-ja nuk do të bëjë veprime të njëanshme në Kuvend, por do të ketë koordinim me partitë opozitare në mënyrë që mocioni eventual i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti të rezultojë i suksesshëm.

“Ne do të vazhdojmë të komunikojmë me kolegët tanë në opozitë dhe shpresojmë të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe të kemi një mocion, i cili do të ishte i suksesshëm. Ne nuk jemi në këtë përpjekje për bajraktarizëm”.

Teksa ka folur për takimin e kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi dhe kryeministrit Albin Kurti, ajo thotë se i njëjti ishte vetëm për t’u dakorduar për zgjedhjet e parakohshme.

“Kandidati ynë për kryeministër Bedri Hamza, qe nga fillimi i prillit, menjëherë pas nominimit për kryeministër, ka kërkuar nga PDK-ja që të ndryshojë qëndrim për marrëveshjet ndërkombëtare. Vendimi për marrëveshje ndërkombëtare nuk është i ndërlidhur me takimin e kryeministrit Kurti me kryetarin Krasniqi”, përfundon ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore