Përballje

Përballje interesante në xhiron e tretë të basketbollit kosovar


Këtë fundjavë priten ndeshje mjaft interesante në Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll.

Sfida hapëse e javës së tretë në elitën e basketbollit kosovar do të jetë ajo mes RC Cola Dritës dhe Trepçës që do të zhvillohet të shtunën në ora 17:15.

Ky takim do të luhet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, për shkak se palestra në Gjilan është duke u shfrytëzuar për vaksinimin e popullsisë.

Gjilanasit vijnë në këtë takim pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para, ndërsa mitrovicasit kanë fituar dy takimet e kaluara.

Trepça shihej si favorit absolut në këtë takim, por me mungesat e Drilon Hajrizit, Valdrin Haxhiut dhe Burim Zekiqit, e bënë që sfida të jetë më e balancuar dhe të dy skuadrat do të hyjnë për fitore.

Përballje shumë interesante pritet mes Prizrenit 16 dhe Golden Eagle Yllit, që zhvillohet në Therandë, për arsyet e njëjta sikurse në rastin e Gjilanit.

Prizrenasit kanë një fitore dhe një humbje në këtë edicion, kurse therandasit vijnë në këtë takim pas dy humbjeve.

Ky takim do të zhvillohet të shtunën në ora 19:00.

Skuadra nga Prizreni së fundi fitoi Superkupën, ndërsa Ylli është kampion i Kosovës dhe Ligës Unike.

Peja – Rahoveci është, po ashtu, një ndeshje interesante që zhvillohet të dielën në ora 17:15.

Pejanët kanë dy fitore në dy ndeshje, ndërsa Vreshtarët kanë një fitore dhe një humbje.

Ndërkaq, ndeshja përmbyllëse e javës së tretë, do të jetë ajo mes rivalëve të vjetër të basketbollit të Kosovës, Bashkimi – Sigal Prishtina.

Ky takim do të zhvillohet në Rahovec, të dielën në ora 19:00.

Në dy ndeshjet e para të edicionit të ri, të dyja skuadrat kanë nga një fitore dhe një barazim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore