Lajme

Ministri njëjtë si kryeministri: Fajet i kanë të tjerët, problemet i kemi trashëguar


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në konferencë për media është pyetur për energjinë elektrike e cila nuk paguhet në pjesën veriore të Mitrovicës, ai për këtë çështje ka thënë se si qeveri jemi duke bërë përpjekje për zgjidhjen e këtij problemi, por si kryeministri edhe ai fajësoi qeveritë e kaluara që kanë qenë në pushtet.

“Ne në vazhdimësi jemi duke punuar që probleme të tilla të cilat i kemi trashëguar nga 20 vitet e kaluara madje janë zmadhuar dhe janë trashë sa ma gjatë që kanë mbetur si probleme të pazgjidhura, do të mundohemi që si qeveri do t’i zgjidhim në afatin me të shkurt”, deklaroi Murati.

Ai shtoi se kanë pasur takim për këtë çështje me komisionin për ekonomi, por që nuk din se çka është diskutuar.

“Nuk e di se çka është diskutuar, di që dje ka qenë në raportim për komisionin për ekonomi, mirëpo nuk di se çka është diskutuar apo si i janë referuar çështjes”.

Murati sqaroi se ndarja prej linjës buxhetore 75 milionë eurove, ishte ndarë për krizën e pandemisë COVID-19 për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset.

“Ne si qeveri jemi përkujdesur që gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2022 në tetor të vitit të kaluar kur kemi miratuar buxhetin jemi përkujdesur që të ketë hapësira të fleksibilitetit duke marrë parasysh pandeminë, cdo herë kemi paraparë që mund të ndodh një situatë e jashtëzakonshme”.

Konferenca e përbashkët e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Mirëpo atëherë kemi paramenduar që mund të kemi krizë në raport me pandeminë dhe mbështetjen që duhet të ju jepet qytetarëve dhe bizneseve dhe në ketë rast prap mbështetja do të jetë për qytetarët dhe bizneset vetëm për arsyeje tjetër dhe në formë tjetër”.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencë për media ka thënë se luftimi i dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave është një prej zotimeve në programin e Qeverisë.

“Jeta e grave e vajzave në Kosovë sikur edhe fëmijëve e qytetarëve është e rëndësishme. Dhuna në familje nuk është çështje private, duhet adresuar nga institucionet. Duhet raportuar te institucionet. Uroj të mos kemi raste kur këto institucione neglizhojnë rastet e dhunës në familje, si kemi parë javëve e muajve të fundit”, ka thënë Haxhiu në konferencë për media.

Ndërsa, shtoi se strategjia e cila është miratuar në Qeveri në mbledhjen e të mërkurës do të ndryshojë situatën në Kosovë.

“Strategjia e miratuar në Qeveri nuk duhet pasur fatin e strategjive të kaluara që mbetën në sirtarë të qeverive. Situata në Kosovë do të ndryshojë për së mbari pas miratimit të kësaj strategjie. Do të rritet vigjilenca e Prokurorisë e Policisë dhe gjykatave në raport me dhunën në familje”, u shpreh Haxhiu.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të radhës e ka miratuar projektligjin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë -e cila ishte nënshkruar në mbledhjen mes dy qeverive në Elbasan- për zbatimin e lehtësirave doganore dhe kontrollit të hyrjes-daljes së mallrave.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kjo marrëveshje parasheh një sërë lehtësirash doganore dhe të tregtisë mes dy vendeve.

“Parasheh edhe vendosjen e zyrës doganore të Republikës së Kosovës në zonën doganore të portit të Durrësit dhe Porto Romanos. E gjithashtu, përfshin edhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore