Lajme

Qeveria miraton dy projektligje: Lehtësira doganore Kosovë – Shqipëri dhe njohje e stazhit të punës


Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të radhës e ka miratuar projektligjin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë -e cila ishte nënshkruar në mbledhjen mes dy qeverive në Elbasan- për zbatimin e lehtësirave doganore dhe kontrollit të hyrjes-daljes së mallrave.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kjo marrëveshje parasheh një sërë lehtësirash doganore dhe të tregtisë mes dy vendeve.

“Parasheh edhe vendosjen e zyrës doganore të Republikës së Kosovës në zonën doganore të portit të Durrësit dhe Porto Romanos. E gjithashtu, përfshin edhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve”, tha ai.

Mbledhja e përbashkët ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj e Shqipërisë në Elbasan

Qeveria po ashtu e ka miratuar edhe projektligjin lidhur me çështjen e stazhit të punës dhe pensioneve, e cila ishte nënshkruar po ashtu në mbledhjen e përbashkët në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë më 26 nëntor të vitit të kaluar.

“Kjo mundëson që qytetarët e të dyja vendeve të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre, siç janë pensionet e moshës, familjare, invalidore, të punës, e drejta e pra edhe nga fondi i kursimeve pensionale individuale si dhe pushimin e lehonisë. Me anë të këtij projektligji, qytetarëve nga Kosova që kanë qenë të punësuar për një kohë të gjatë në Shqipëri do t’u mundësohet që pas arritjes së moshës së pensionimit, të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin në Kosovë”, tha ministri Murati.

Ai shtoi se punëtorët nga Kosova që punojnë në Shqipëri po ashtu mund t’i bashkojnë periudhat e kontributeve (stazhin e punës).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore