Kosova

Osmani uron Plenkoviç-in për rizgjedhjen e tij si Kryeministër i Kroacisë


Vjosa Osmani dhe Andrej Plenkoviç

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar për rizgjedhjen e tij për herë të tretë si Kryeministër i Kroacisë, Andrej Plenkoviç-in.

Urimin e saj, Osmani e ka bërë përmes një postimi në platformën X, ku tha se shteti që ajo udhëheqë është krenar për mbështetjen e Kroacisë.

“Urime mikut të dashur të Kosovës, Andrej Plenkoviç, për mandatin e tretë si Kryeministër i Kroacisë! Ne jemi krenarë për partneritetin tonë me Kroacinë dhe vlerësojmë shumë mbështetjen tuaj të patundur dhe të vazhdueshme”, shkroi e para vendit.

Ndryshe, Kroacia të mërkurën ka zgjedhur qeverinë e re me Kryeministër Andrej Plenkoviç-in – për herë të tretë radhazi.

Pas një debati dhjetë orësh në Parlamentin kroat, mbështetje qeverisë së Plenkoviç-it, që përbëhet nga HDZ-ja si fituese e zgjedhjeve dhe Lëvizjes Atdheu, i dhanë 79 deputetë nga 141 të pranishëm.

61 ishin kundër, ndërsa një abstenoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore