Lajme

Kusari i propozon mocion opozitës: Kërkoni që nga qendra e paraburgimit Nagip Krasniqi, të sillet në Kuvend


Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvendin e Kosovës i ka propozuar opozitës që të dalin me një mocion tjetër.

Përmes atij mocioni të kërkojnë që drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi të sillet në sallën e Kuvendit të Kosovës, në vend se të gjykohet në institucionet e drejtësisë.

“Sot opozita po mundohet të shfrytëzoj mekanimizmin që akoma e kanë ndikimin e tyre atë të prokurorisë, duke e kthyer sallën e Kuvendit në gjykatore”.

“Për të realizuar këtë skenar deri në fund i propozoj opozitës që ta bëjnë edhe një mocion sot dhe nga qendra e paraburgimit ku po mbahet zotëri Nagip Krasniqi, të sillet këtu në sallën e Kuvendit ashtu duar lidhur siç e nxorën nga Gjykata dhe të pyetet për të gjitha procedurat e prokurimit dhe aktivitetet e tjera operacionale që janë zhvilluar në KEK gjatë një viti e gjysmë sa ishte ai drejtor”.

Sipas këndvështrimit të shefes së grupit të Lëvizjes Vetëvendosje, aktualisht Kuvendi është duke i shërbyer “shumë pak” qëllimeve që ia përcakton Kushtetuta.

“Fatkeqësisht u bë një kohë tashmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës, po i shërben pak qëllimit që ia përcakton Kushtetua dhe ligjet e vendimit dhe më shumë diskutimeve të dobëta të cilat përveç në Kuvendin e Kosovës, sot janë duke u zhvilluar në Gjykatë”.

Ajo për t’i dalur në mbrojtje Krasniqit ka prezantuar në Kuvend disa prej argumenteve që janë prezantuar në raportin vjetor të KEK-ut.

“Neve si deputetë të Kuvendit nuk na takon të diskutojmë specifikat që i posedon organi i drejtësisë, por për të gjithë ata që vrapuan ta akuzojnë dhe të gjuajnë gurë e dru mbi figurën e Nagip Krasniqit, çka vlen të theksohet gjithmonë në Kuvend është analiza e indikatorëve të përformancës në bazë të së cilës vlerësohet edhe puna e menaxhmentit”.

Sipas saj meritat për krizën energjetike të Kosovës i takojnë KEK-ut, por përveç kësaj KEK arritur që të realizoj “rekord të hyrash”.

“Përkundër sfidave, KEK gjatë vitit 2022 ka realizuar rekord rritjesh të hyrash nga veprimtaria në 69.8 milionë euro ose 32 për qind më shumë sesa në vitin paraprak. KEK, ka një vazhdimësi të rritjes së përformancës financiare e cila ka nivel të jashtëzakonshme në vitin 2022, megjithëse me sfida të jashtëzakonshme KEK-u realizoi një fitim neto prej 107.7 milionë euro që përbën një rritje të fitimit neto”, deklaroi Kusari.

Të mërkurën e 19 prillit, Krasniqi u arrestua nën dyshimin se keqpërdori në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për tenderin rreth kryerjeve të punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Emri i tij, u përmend edhe në rastin e skandalit financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ky i fundit u raportua se ishte takuar në Kroaci me Krasniqin gjatë muajit mars të vitit të kaluar.

Megjithatë, këtë e kishte mohuar Berishaj gjatë raportimit të tij në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës më 17 nëntor të vitit të kaluar.

“Nuk kam pasur takim me kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës. Unë gjitha takimet fillimisht i bëjë në ambasadë. Jam shumë i gëzuar që kam pas mundësin ta shpjegoj një shpifje të madhe që është bërë”, pati thënë Berishaj.

Krasniqi po ashtu ishte akuzuar nga kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, se rënia e Bllokut A3 dhe A5 është bërë qëllimshëm, por ky i pari e kishte mohuar një gjë të tillë.

Më 2 dhjetor të vitit të kaluar, Krasniqi ishte ftuar për të raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar i Kosovës në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Por, e kishte lëshuar mbledhjen pas pyetjes së kryetarit të këtij komisioni, Hajdar Beqa, i cili kishte kërkuar informacione nga Krasniqi për mos fillimin e remontit të bllokut A5 në Termocentralin “Kosova A”.

Dallaveret e Nagip Krasniqit – Si ia dha kundërligjshëm tenderin mbi 630 mijë euro kompanisë greke

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore