Dallaveret e Nagip Krasniqit – Si ia dha kundërligjshëm tenderin mbi 630 mijë euro kompanisë greke
Foto nga Albanian Post
Lirim Mehmetaj
22.04.2023 7:50“Tuv Hellas” është kompania greke që ka përfituar mbi 630 mijë euro në një nga tenderët e kundërligjshëm për të cilët është arrestuar, paraburgosur dhe po hetohet, kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.
Njoftimi për dhënien e kontratës kompanisë “Tuv Hellas” ishte bërë me 2 mars 2023, derisa kompania angazhohej për konsulencë, më saktësisht “blerje e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projektit, dizajnit, furnizimit dhe kryerjen e punëve lidhur me dilatimet e Kalldajave në B1 dhe B2”.
Shërbime të tilla brenda KEK-ut për vite me radhë kishin dhënë shumë kompani, gjermane, italiane, spanjolle dhe të tjera, derisa “Tuv Hellas” nuk kishte punuar asnjëherë më parë me KEK-un.
Kompani si “Epitas”, “Ambiente”, “VPS”, Stage” e të tjera kishin marrë punë me parë në KEK të propozuara edhe nga Bashkimi Evropian.
Por, në kundërshtim me ligjin, pa ekzistuar specifikat e nevojshme, Nagip Krasniqi, kishte vendosur që të shpallë tender njëburimor, ku nuk hapet thirrja për të aplikuar kompanitë me oferta, por vetë KEK-u thërret një kompani të caktuar dhe me të, përmes negocimit të fshehtë, përjashton automatikisht të gjitha kompanitë e tjera që do të mund të aplikonin për tenderin.
Kjo ishte hera e parë që KEK-u për një shërbim të tillë të konsulencës po angazhonte një kompani përmes kësaj forme të tenderimit.

Sipas Ligjit për Prokurorimin Publik, Neni 35 “Procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit të kontratës”, tender njëburimor mund të jepet vetëm atëherë kur “për arsye objektive dhe të detyrueshme teknike ose artistike, kontrata duhet t’ jepet një operatori të caktuar ekonomik”, ose “për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues”.
Siç shpjegohet më tej në Udhëzuesin Operativ të Prokurorimit Publik, kjo lloj procedure e njohur si tender njëburimor ku negociohet pa publikim të njoftimit për kontratë “është një shmangie prej parimeve themelore të çiltërsisë, transparencës, dhe konkurrencës si dhe është procedurë shumë e jashtëzakonshme”.

Këto rrethana nuk ekzistonin, megjithatë “Tuv Hellas” siguroi kontratën prej 628 mijë e 425 eurove përmes procedurës së mbyllur.
Ky nuk është rasti i vetëm që Nagip Krasniqi ka zgjedhur kompani nga Greqia për t’iu ofruar punë. Në asnjë rast këto kompani nga Greqia nuk ishin operatorë që kishin punuar edhe në të kaluarën me KEK-un. Ato vinin për herë të parë, që të gjitha në forma të dyshimta dhe jo të rregullta.
Albanian Post gjatë ditëve në vazhdim do të shpalosë lëndë të tjera për të cilat ekziston dyshim i bazuar që Krasniqi kreu shkelje ligjore.
Rastet me kompanitë greke janë vetëm disa nga shumë sish që tashmë janë në dosjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës për Nagip Krasniqin.

Për këtë dhe rastet e tjera, Gjykata Themelore në Prishtinë (Departamenti Special) ia ka caktuar masën e paraburgimit Krasniqit prej 30 ditësh.
Ai, përveç akuzave për Konflikti të Interesit nga neni 417 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dyshohet edhe për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 dhe për Ushtrim të ndikimit nga neni 424.
Reagimi i Kurtit për arrestimin e Krasniqit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për arrestimin e Nagip Krasniqit, por i është vënë në mbrojtje.
Ai, përkundër njohurive për këto rate të dyshimita, ka vendosur ta sulmojë kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, por nuk ka folur për rastet e keqpërdorimeve të Krasniqit.
“Emri i kundërshtimit të ndryshimit të madh në Kosovë, që është i domosdoshëm në realitetin e njerëzve jo vetëm në kuti të votimit më 14 shkurt 2021 sot është Blerim Isufaj. Ky është thelbi i çështjes”, ka thënë Kurti pa shpjeguar se cili është saktësisht gabimi i Isufajt në këtë rast.
Kurti, duke tejkaluar kompetencat e pozitës së kryeministrit, ka thënë se nuk do ta lejojë, bashkë me presidenten, Isufajn që të bëhet kryeprokuror i shtetit.
“Duan me çdo kusht në çfarëdo rrethane me patjetër të bëhen kryeprokuror por nuk do të munden, nuk do të munden jo pse jam unë, jo pse jeni ju, por pse në këtë shtet ka edhe Republikë edhe popull”.
Në anën tjetër, për Krasniqin ka folur me dhimbje duke u thënë opozitarëve se nuk do të duhej të gëzoheshin për këtë rast, sepse ata po i sheh edhe Nagipi duke u gëzuar.
“Nagip Krasniqi është ne burg, dënim me vdekje në Kosovë nuk ka dhe me siguri ai e sheh në televizor këtë gëzim opozitar për arrestimin e tij. Nuk është hera e parë. Nuk është hera e parë që kemi gëzim në sallë të Kuvendit për njerëzit të cilët janë në burg”, tha pakuptueshëm Kurti.
Kush është Nagip Krasniqi?
Nagip Krasniqi ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje për shumë vjet dhe para se të emërohej nga Qeveria kryeshef i KEK-ut, kishte mbajtur pozitën drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje.
Para se ta merrte drejtimin e KEK-ut, Nagip Krasniqi kishte punuar në dy banka në Kosovë e para se të punonte në sektorin bankar ishte punonjës në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Por, pozita e kryeshefit në KEK nuk ishte e para për të në këtë korporatë.
Nga 2006 deri në vitin 2008 ai kishte punuar në KEK si Drejtor Financiar. Nga aty, sipas raportimeve të kohës, ishte shkarkuar nen dyshime për keqpërdorime dhe mungesë të kompetencës profesionale.