Kosova

Kurti në 32 vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut: Është koha të mendojmë për ribotimin e saj


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në 32 vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut konsideron se është koha të mendohet për ribotimin e kësaj Kushtetute si dokument historik.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ai e ka kujtuar edhe vlerën e këtij dokumenti.

“Atë kohë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës që u shpall në Kaçanik u shtyp në rreth 500 kopje, disa prej të cilave, sikur kjo kopje këtu, fatmirësisht kanë mbijetuar deri sot, për t’u arkivuar dhe dëshmuar nga historia. Mbase është koha që të nisim e të mendojmë për ribotimin e saj si dokument historik, në edicione shkencore të shoqëruara me studime përkatëse”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, ky dokument ndër vite u bë themel i fuqishëm i një tradite demokratike dhe shtetërore.

“Duke miratuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës që ishte propozuar në atë mbledhje, delegatët legjitimë të Kuvendit të Kosovës, shpallën Republikën e Kosovës. Megjithëse kjo republikë u njoh vetëm nga Republika e Shqipërisë, ajo do të bëhej një themel i fortë i një tradite demokratike dhe shtetërore përmes së cilës, gjatë viteve ’90-të, shqiptarët e Kosovës manifestuan vullnetin e tyre politik në kuadër të Jugosllavisë që i shtypi dhe i diskriminoi, deri te lufta çlirimtare e vitit 1999”.

Ai ka shtuar se dokumenti i Kushtetutës përvec që ka vlera të mëdha është edhe përmbajtjesor.

Foto nga shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut.

“Sot bëhen 32 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në Kaçanik, e cila sa herë që i rikthehemi si tekst, shohim që përveçse si një dokument me vlera historike, mund të na shërbejë edhe për përmbajtjen e saj aq profesionale, politikisht vizionare dhe historikisht të drejtë”.

Më 7 shtator 1990 delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik, e formalizuan këtë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

7 shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës ishte shpallur në Kaçanik, për arsyeje se ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë e Veriut.

Shpallja e Kushtetutës u bë në një organizim të fshehur, pasi vendi ishte i mbushur nga forcat policore dhe ushtarake të pushtuesit, të cilët kishin nisur një spastrim të hapur të institucioneve të Kosovës, duke i larguar punëtorët shqiptarë dhe futjen e masave të dhunshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore