Përballje

Komorosi do të luajë pa portier të mirëfilltë ndeshjen historike ndaj Kamerunit


Ishujt Komoros kanë bërë historinë, duke kaluar fazën e grupeve në Kupën e Kombeve të Afrikës.

Tani Komorosi do të ketë punë shumë të vështirë, pasi që në fazën e 1/8-ve do të ndeshet me vendin organizator, Kamerunin.

Përveç që do të kenë një kundërshtar tejet të fortë siç është Kameruni, Komorosi duhet të përballet edhe me mungesën e 12 të infektuarve me COVID-19.

Ajo çka është më e keqja për Ishujt Komoros, është se në mesin e të infektuarve janë edhe dy portierët rezervë, derisa ai i pari ishte lënduar në ndeshjen e fundit.

Federata e Futbollit Afrikan (CAF) ka vendosur rregulla strikte sa i përket infektimit me COVID-19 në Kupën e Kombeve të Afrikës.

Në qoftë se një ekip ka në dispozicion të paktën 11 lojtarë, atëherë ndeshja do të luhet, në të kundërtën do të humbet me rezultat 2:0 në tavolinë.

Pra, në këtë rast, trajneri i Komorosit, Amir Abdou, duhet që njërin nga futbollistët ta vendosë në portë.

Ndërkaq, kujtojmë që Komorosi arriti kalimin historik të fazë së grupeve, duke mposhtur në ndeshjen e fundit Ganën me rezultat 2:3.

Kurse dy ndeshjet e para të grupit (ndaj Marokut dhe Gabonit) i humbi me shifrat 2:0 dhe 0:1.

Ndeshja mes Kamerunit dhe Komorosit do të zhvillohet këtë të hënë me fillim nga ora 20:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore