Lajme

A mundet Netanyahu të pengojë zgjedhjet e parakohshme dhe një strategji për Gazën?


Benny Gantz nuk tha asgjë të re në konferencën e tij për shtyp të së shtunës mbrëma.

Kushdo që e shkroi fjalimin e tij, nuk bëri asgjë më shumë se sa të riciklonte dhjetëra rrjedhje informacionesh mbi përçarjet brenda kabinetit të luftës gjatë muajve të fundit.

Sipas standardeve të Gantz-it ishte një fjalim i guximshëm.

Është arsyeja kryesore pse ai është ngritur në votime që nga fillimi i luftës, duke kaluar Benjamin Netanyahun.

Por standardet e Gantz janë goxha të ulëta dhe kur krahasohen me realitetin e mjerueshëm të kësaj qeverie, fjalimi i tij ishte goxha frikacak.

“Kohët e fundit diçka ka shkuar keq. Vendimet vendimtare nuk janë marrë”, tha ai.

Ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ishte më i sinqertë në konferencën e tij për shtyp duke sulmuar Netanyahun të mërkurën mbrëma, kur ai foli troç për vendimet që duhej të ishin marrë që nga fillimi i luftës.

Gantz në vend të kësaj foli për “një pakicë të vogël që ka marrë anijen e Izraelit dhe po e çon drejt shkëmbinjve”.

Në vend që të përdorte metafora, ai do të kishte bërë më mirë t’u përmbahej fakteve.

Kjo qeveri ka qenë në vështirësi që nga fillimi i luftës dhe ai ka kaluar shtatë muajt e fundit duke e mbuluar atë.

Ultimatumi i tij për të dhënë dorëheqjen nga kabineti dhe për t’u larguar nga qeveria së bashku me partinë e tij brenda tre javësh, nëse nuk formulohet një plan për të adresuar ato që ai thotë se janë gjashtë objektivat strategjikë të Izraelit në këtë luftë, nuk do të ndryshojë drejtimin e qeverisë.

Nuk ka mundësi që ky koalicion i dominuar nga e djathta ekstreme të pranojë kërkesat e tij.

Por fjalimi është i rëndësishëm në të paktën një mënyrë.

Përfundimi nuk është ultimatumi, pasi nuk mund t’i besojmë Gantz-it që të mos gjejë një justifikim deri më 8 qershor për të qëndruar në kabinet.

Përfundimi është se nga tre anëtarët e kabinetit të luftës (të tjerët që marrin pjesë në kabinetin e luftës janë “anëtarë vëzhgues”), dy tani kanë akuzuar publikisht anëtarin e tretë, Netanyahu, se nuk kishte një strategji për luftën që po vazhdon prej shtatë muaj e gjysmë.

Dhe përkundër gjithë kësaj, Gantz i jep Netanyahut edhe tre javë të tjera dhe Gallant as që kërcënoi se do të jepte dorëheqjen.

Gantz dhe Gallant tani i kanë thënë publikut izraelit se kryeministri i tyre është i përgatitur të vazhdojë të tërheqë vendin gjithnjë e më thellë në Gaza pa ndonjë plan të zbatueshëm për t’i dhënë fund luftës.

Ata të dy kanë lënë të kuptohet se ai po e bën këtë për arsye politike, nën presionin e ekstremit të djathtë.

Kabineti i luftës i Netanyahut tani ka votuar mosbesimin ndaj tij.

Në çdo forum normal politik, ky do të ishte fundi.

Ose kryeministrit do t’i duhej të shkarkonte ministrat e tij të pahijshëm ose ata do të jepnin dorëheqjen menjëherë.

Dhe zgjedhjet do të mbaheshin në datën më të shpejtë.

Por ky nuk është një kabinet normal. Ai ekziston sepse kabineti më i gjerë, ai që përfaqëson koalicionin, përfshin ministrat e ekstremit të djathtë që kontrollojnë fatin e Netanyahut.

Formimi i një kabineti të vogël lufte pa të djathtën ekstreme ka qenë lëshimi i vetëm politik i Netanyahut që nga fillimi i luftës.

Por në mungesë të tyre, Netanyahu është bërë përfaqësuesi i ekstremit të djathtë, duke vënë veton ndaj çdo lëvizjeje drejt një strategjie të përgjithshme që do të pengonte në çfarëdo mënyre dëshirën e tyre që Izraeli të mbetet përgjithmonë në Gaza dhe të rindërtojë vendbanimet atje.

Netanyahu e donte Gantz-in në kabinetin e tij, sepse herë pas here ai kishte nevojë për mbulim për vendimet për të cilat e djathta ekstreme ishte më pak e lumtur, siç ishte marrëveshja e parë e lirimit të pengjeve në nëntor, dhe së fundmi, hapja me vonesë e rrugëve për furnizimet humanitare në Gaza.

Ai gjithashtu e di se me Gantz në bord, do të ishte më e lehtë të shmangeshin thirrjet për zgjedhje të parakohshme.

Por deklaratat e Gallant dhe Gantz të mërkurën dhe të shtunën mbrëma janë një shenjë se ata të dy e kanë kuptuar tashmë se Netanyahu nuk do të shkojë më tej.

Gantz ende po përpiqet t’i japë Netanyahut një shans të fundit.

Ndoshta së bashku me presionin nga administrata Biden, ai do të lëvizë për disa nga çështjet.

Përgjigja shpërfillëse e Netanyahut më pak se një orë pas konferencës për shtyp të Gantz e bëri të qartë se kjo nuk do të ndodhë.

Por ai nuk do të shkarkojë as Gantz, pavarësisht votës së mosbesimit ndaj tij si kryeministër.

Sepse për sa kohë që Gantz është ende atje, Netanyahu ka më shumë mbulesë dhe Gantz mund të gjejë ende justifikimin e tij për të qëndruar.

Ai nuk ka dhënë dorëheqjen deri më tani.

Marrë nga “Hareetz”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore