Përballje

Këtë të enjte fillon java e pestë e basketbollit kosovar


Ndeshja e parë e xhiros së pestë në Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll, do të zhvillohet mes Pejës dhe Prizrenit 16, duel ky i cili do të fillojë në ora 17:00 në palestrën “Karagaç” të qytetit të Pejës.

Kjo përballje pritet të jetë shumë interesante, duke pasur parasysh që dyja skuadrat kanë pikë të barabarta pas katër xhirove të zhvilluara, me nga tri fitore dhe një humbje, të cilën ua shkaktoi klubi i Trepçës.

Pejanët kanë hyrë në këtë edicion me ambicie të mëdha, kurse prizrenasit e fituan Superkupën, që ishte trofeu i parë në histori të klubit.

Verdhezinjtë kanë mundur Bashkimin, Sigal Prishtinën dhe Rahovecin, kurse basketbollistët nga Prizreni kanë shënuar fitore ndaj Rahovecit, Golden Eagle Yllit dhe RC Cola Dritës.

Ndeshjet tjera në elitën e basketbollit kosovar, do të vazhdojnë në fundjavë, ku të shtunën do të jetë përballja mes Sigal Prishtinës dhe Rahovecit, ndërsa të dielën do të jenë dy duele: Bashkimi – Trepça dhe RC Cola Drita – Golden Eagle Ylli.

Kujtojmë që në të gjitha palestrat sportive edhe këtë xhiro do të lejohet prania e tifozëve në kapacitetin e 10 për qind të sallave.

Java 5

E enjte

17:00 Peja – Prizreni 16

E shtunë

19:00 Sigal Prishtina – Rahoveci

E diel

17:00 Bashkimi – Trepça

19:00 Drita – Golden Eagle Ylli

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore